Të paktën tre persona janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur pasi tre cisterna nafte shpërthyen në Abu Dhabi nga një sulm i kryer me dron.
Siç shkruan Al Jazeera, policia e Abu Dhabit tha të hënën se tre kamionë cisternë kishin shpërthyer në zonën industriale Musaffah, pranë depove të firmës së naftës ADNOC dhe se një zjarr kishte shpërthyer gjithashtu në një kantier ndërtimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Abu Dhabit.
Kjo ka ndodhur në një kohë kur rebelët Houthi të Jemenit njoftuan një operacion “thellë” në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Policia i identifikoi të vdekurit si dy shtetas indianë dhe një pakistanez. Nuk janë identifikuar të plagosurit, për të cilët thuhet se kanë pësuar plagë të lehta ose mesatare.
“Hetimet paraprake tregojnë zbulimin e objekteve të vogla fluturuese, që ndoshta i përkasin dronëve, që kanë rënë në të dy zonat dhe mund të kenë shkaktuar shpërthimin dhe zjarrin.”- tha policia në një deklaratë të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve WAM, duke shtuar se ata kishin nisur një hetim.