Që nga mesi i viteve 1970, të huajt kanë fluturuar në Tajlandë si burra dhe më vonë janë larguar si gra. Filipinet, gjithashtu, ishin një pikë e nxehtë. Azia Juglindore në përgjithësi mendohej prej kohësh se ishte më tolerante ndaj transgjinorizmit.
Por tani kirurgjia e ndryshimit të gjinisë po lehtësohet e po kthehet në një biznes të madh në një destinacion të ri: Indi.
Kjo po ndodh aq masivisht sa kirurgu Dr. Narendra Kaushik ka ngritur një spital të ndërtuar vetëm për pacientët trans.
Qendra e tij Olmec në Delhi trajton deri në 70 pacientë në muaj, me shumë që i nënshtrohen procedurave të shumta. Olmec kryen rreth një mijë operacione çdo vit; 600 prej tyre janë për të ndryshuar organet gjenitale nga mashkull në femër apo femër në mashkull.
“Ne kemi pësuar një rritje të madhe në shtatë vitet e fundit apo më shumë.” – tha Dr. Kaushik për RT.com.
“Është kryesisht për operacione për t’u kthyer nga mashkull në femër, pasi kjo është ajo që reflektohet në shoqëri, por ne po marrim kërkesa edhe për operacione për t’i kthyer nga femra në meshkuj.”
Çfarë përfshin operacioni
“Ne i heqim testikujt.” – shpjegoi Dr. Kaushik.
“Më pas përdorim pjesët e jashtme të penisit për të bërë organet gjenitale femërore në mënyrë të bukur, duke përfshirë një klitoris me ndjesi të mira dhe kjo bën të mundur orgazmën. Në të kaluarën, shumica e operacioneve të ndryshimit të seksit nënkuptonin që pacientët duhej të jetonin pa marrëdhënie seksuale. Jo më. Ne kemi një shkallë kënaqësie prej 98.3% midis pacientëve dhe partnerëve të tyre. Nuk mund të themi se janë organe gjenitale absolutisht normale të femrës, sepse janë bërë nga organet mashkullore, por janë sa më afër që të jetë e mundur për nga funksioni dhe pamja. Ajo ndihet si një grua.” – tha kirurgu i njohur.
Trajtimi në Indi përfshin gjithçka nga marrja në aeroport deri tek kthimi në terminal pesë ose gjashtë javë më vonë me një trup krejtësisht të ndryshëm.