Zbardhet dëshmia e 63-vjeçarit Lulzim Masha, i cili i shpëtoi një atentati me armë zjarri mesditën e sotme në Tiranë.
Masha i cili është administrator i një shkolle private, ka deklaruar para uniformave blu se nuk ka konflikt të hapur me asnjë person. Ai ka treguar gjithashtu se autori kishte qenë duke ecur në këmbë në momentin që ka qëlluar me armë zjarri.
“Nuk kam konflikt të hapur me askënd, nuk e di se kush fshihet pas këtij sulmi. Atentatori ishte në këmbë dhe i veshur me veshje sportive.”- citohet të ketë thënë Masha nga “Balkanweb”.
Ka qenë Masha ai që ka njoftuar policinë, por 63-vjeçari pretendon se nuk ka qenë ai subjekt i një atentati, por se në fakt ka qenë një konflikt mes të rinjsh dhe ai thjesht ka rastisur aty ndërsa po shkonte për punë.
“Jam në komisariat më kanë thirrur policia dhe po japim një deklaratë. Aty po ziheshin nja dy tre çuna të rinj, unë po kaloja aty se shkoj për punë. Kur dëgjoj armë bam-bam-bam.
Hap krahun unë dhe shoh se dy plumba kishin marrë dhe makinën time. Jo jo, sulmi nuk kishte lidhje me mua. Ndalova në atë kohë kur policia ishte afër se dëgjoi zhurmën dhe shoh se ata të rinj po iknin vrap. Nuk i pashë. Po e mbyll se po më thonë këta ta mbyll.”- tha menaxheri 63-vjeçar, në një telefonatë me “News 24”.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, por deri më tani nuk është identifikuar apo arrestuar asnjë person.