Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Dua të shoh më shumë zonja në drejtimin e PD-së në gjithë nivelet


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të martë po zhvillon një takim me gratë anëtare të Lidhjes Demokratike të Gruas, në kuadër të zgjedhjeve të reja që do të zhvillohen në këtë forum.

Gjatë këtij takimi, Basha u shpreh se dëshiron të shohë më shumë zonja në drejtimin e PD-së në të gjitha nivelet.

Po ashtu ai dënoi gjuhën denigruese e përçmuese që sipas tij është përdorur ndaj grave ndër vite.

“Mund të themi këtë që, sikur gjithë këtë gjuhë që është përdorur në veçanti në raport me zonjat, me vajzat, me gratë e Partisë Demokratike, nga një grusht njerëzish që s’i kemi parë në fushatë kundër Ramës, as të nxjerrin zë, jo më të bërtasin, atëherë gjërat do të kishin qenë ndryshe.

 Atëherë për hesap të kujt e bëjnë? Për hesap të PD-së jo e jo, as qytetarëve shqiptarë që duan normalitet, dhe normaliteti nuk vjen duke i shërbyer një tjetër njeriu, i cili ka ndërtuar të gjithë karrierën e tij politike, duke zgjedhur sakrificën e grave dhe duke i përdorur gratë si fasadë, apo duke i përdoru si kuota.

Gratë nuk janë kuota, nuk janë fasadë, nuk kanë qenë kurrë në bindjen time para se të futesha në politikë, para se të krijoja familje, e aq më shumë tani që në familje sigurisht jam minorancë, por siç e shikoni, e them me kënaqësi që edhe në përgjegjësinë që më keni ngarkuar, po e shikoni që nga grupi parlamentar, tre komisione ku ne kemi kryetar, të tre kryetaret janë zonja.

4 nga 7 delegacionet e Komisionit të Përhershëm Parlamentar, që i takojnë demokratëve në Parlamentin Europian, janë zonja. Sigurisht dua të shohim më shumë zonja kryetare degësh, kemi pak, mirëpo ato që i kemi, janë shembull për të treguar se çfarë mund të bëjë një zonjë apo një zonjushë demokrate, kur vendos zemrën, shpirtin, personin tek misioni që kjo parti, kjo familje politike ka.

Nejse, bëra një hyrje sepse duke qenë që kishim një hyrje atje… me të vërtetë të ishin gra dhe zonja, do u thoja, ejani dhe ju. Ejani futuni brenda, nuk ka vend për xhelozi, kryetari është i të gjithëve.”- u shpreh Basha.