Britania e Madhe po furnizon Ukrainën me raketa antitank me rreze të shkurtër veprimi për vetëmbrojtje, kjo pas raporteve se Rusia ka grumbulluar rreth 100 mijë trupa në kufirin me të.
Lajmi u bë me dije nga sekretari britanik i mbrojtjes, Ben Wallace. Ai u tha deputetëve se një ekip i vogël trupash britanike do të dërgohej gjithashtu në Ukrainë për të ofruar trajnime për ushtarët atje.
Ai tha se kishte “arsye legjitime dhe reale për shqetësim” se trupat ruse mund të përdoren për një pushtim.
Rusia nga ana tjetër mohon çdo plan pushtimi dhe akuzon Perëndimin për agresion.
Dhjetra trupa britanike kanë qenë në Ukrainë që nga viti 2015 për të ndihmuar në trajnimin e forcave të tyre të armatosura, dhe Britania e Madhe gjithashtu ka marrë një angazhim për të ndihmuar në rindërtimin e marinës së Ukrainës pas pushtimit rus të Krimesë në vitin 2014.
Por Wallace tha se Mbretëria e Bashkuar do të ofronte ndihmë shtesë për sigurinë për shkak të “sjelljes gjithnjë e më kërcënuese” të Rusisë.
Grupi i parë i armëve të lehta kundër blindave u dërgua të hënën, megjithëse sekretari i mbrojtjes nuk specifikoi llojin e tyre.
“Ukraina ka çdo të drejtë të mbrojë kufijtë e saj dhe kjo paketë e re ndihme rrit më tej aftësinë e saj për ta bërë këtë.”- u tha ai deputetëve, citon BBC.
“Më lejoni të jem i qartë: kjo mbështetje është për aftësitë e armëve me rreze të shkurtër dhe qartësisht mbrojtëse; ato nuk janë armë strategjike dhe nuk përbëjnë asnjë kërcënim për Rusinë; ato duhet të përdoren në vetëmbrojtje.”
Ai tha se ka “një paketë sanksionesh ndërkombëtare gati” nëse Rusia do të ndërmarrë ndonjë “veprim destabilizues” në Ukrainë.
Çdo ndërhyrje do të shihej si një “pushtim” i cili “mund të çojë në një humbje të madhe jetësh nga të gjitha anët”, tha sekretari i mbrojtjes.
Ambasadori ukrainas në Britaninë e Madhe përshëndeti vendimin e Britanisë për të dërguar armë dhe trupa shtesë, por i tha BBC-së se problemi më i madh ishte se ata nuk ishin anëtarë të NATO-s.
“Ne donim të ishim në NATO… po përballemi vetë me ushtrinë më të madhe në Evropë.”– tha Vadym Prystaiko.