Vendosni fjalën kyçe....

Dënimet, vettingu i gjyqtarëve, legalizimi i kanabisit e Ballkani i Hapur, zbardhet pyetësori i qeverisë për Këshillimin Kombëtar


Janë publikuar 12 pyetjet e anketës për nismën e qeverisë Këshillimi Kombëtar të njoftuar para disa javësh nga Kryeministri Edi Rama e cila synon t’i marrë mendim qytetarëve në lidhje me çështje të rëndësishme për vendin.

Këto pyetje kanë të bëjnë me legalizimin e kanabisit, çështjen e Ballkanit të Hapur, ndihmës ekonomike, dënimeve për krimet e rënda, vetingun e gjyqtarëve, etj.

Pyetësori i plotë shoqërohet edhe me një mesazh nga kryeministri, ku shprehet se shqiptarët mund të ecin shumë përpara duke dëgjuar njëri tjetrin.

“Unë besoj se ne shqiptarët kemi mundësinë të shkojmë shumë me shpejt përpara duke e dëgjuar njëri-tjetrin pa u ndarë më në llogoret e vjetra politike që nxisin përçarjen, kundër interesit të familjeve shqiptare. Me pyetësorin bashkëngjitur po i japim jetë një kuvendimi popullor, ku duam mendimin tuaj mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë dhe të ardhmen tonë. Eshtë koha t’i lemë pas llogoret e sherrit politik që të hedhim hapa të mëdheni përpara, duke u këshilluar së bashku për vendime me rëndësi. Qoftë Viti i Ri një vit i mbarë, plot shëndet e mundësi të reja për familjen tuaj,” thuhet në mesazhin e Ramës.

Pyetjet në anketë:

1-Ka njerëz që thonë se nënat që rrisin 3 ose më shumë fëmijë të mitur, duhet të përfitojnë mbrojtje të veçantë sociale nga shteti. Të tjerët thonë se shteti nuk duhet të bëjë diferencime as në këtë rast.Si thoni ju?

2- Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të ashpërsojë dënimin e autorëve përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda kundër personit, duke e dyfishuar dënimin për ta dhe duke hequr të drejtën e gjykimit të shkurtuar për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve.Të tjerë thonë se dënimet në fuqi janë të mjaftueshme për përsëritësit e dhunuesit ndaj familjes e fëmijëve. Cili është mendimi juaj?

3- Ka njerëz që thonë se të punësuarit, që denoncojnë metoda të pagave fiktive nga punëdhënësi duhet të mbrohen nga shteti me dëmshpërblim financiar me largim të padrejtë nga puna, kur denoncimi i tyre vërtetohet, ndërsa punëdhënia në fjalë duhet penalizuar me ashpërsim të masave në fuqi. Të tjerë thonë se masat në fuqi ndaj punëdhënësve që abuzojnë me pagat e punonjësve janë të mjaftueshme. Si mendoni ju?

4- Ka njerëz që thonë se ata që kanë fituar statusin e pensionistit, por që vazhdojnë ende të punojnë, nuk duhet të paguajnë kontributet shoqërore. Të tjerë mendojnë se nuk duhet bërë një diferencim i tillë. Si mendoni ju? 

5- Ka njerëz që thonë se emigrantëve shqiptarë që duan të depozitojnë në Shqipëri kursimet e tyre, duhet t’u jepet amnisti e plotë. Të tjerë thonë se depozitimet në vendin tonë, të kursimeve të punës në emigracion, nuk duhen inkurajuar përmes amnistisë. Si mendoni ju?

6- Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak.  Të tjerë thonë se kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore. Si mendoni ju?  

7- Ka njerëz që thonë se ashtu si vendet e tjera të Europës, Shqipëria duhet të vendosë me detyrim që qytetarët të paraqesin certifikatën e vaksinimit në të gjitha hapësirat publike të mbyllura dhe në tubime të mëdha. Të tjerë thonë se kjo praktikë nuk duhet të jetë e detyrueshme pasi kufizon liritë dhe të drejtat e njeriut. Si mendoni ju?

8-Ka njerëz që thonë se qeveria duhet të ashpërsojë gjobat dhe masat kundër evazionit fiskal të shoqërive të biznesit të madh. Të tjerë thonë se rregullat në fuqi janë të mjaftueshme nëse zbatohet si duhen. Si mendoi ju?

9-Ka njerëz që thonë se qeveria duhet të tregohet më e ashpër, jo vetëm me subjektet, por edhe me individët që ndotin hapësirën publike. Të tjerë thonë se rregullat aktuale janë të mjaftueshme. Si mendoni ju?

10- Ka njerëz që thonë se gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar ende vetingun, duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin. Të tjerë thonë se pezullimi dhe përjashtimi nga sistemi duhet të kryhet sipas procedurave në fuqi. Si mendoni ju?

11- Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është i lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut. Ka njerëz që thonë se aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE duhet të ndahet nga ai i Maqedonisë së Veriut, që vendi ynë të vlerësohet për meritat e veta. Të tjerë thonë që duhet të vazhdojmë të presim Maqedoninë e Veriut. Si mendoni ju?

12- Ka njerëz që besojnë se krijimi i nismës “Ballkan i Hapur” midis Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanin Perëndimor është në interes të Shqipërisë. Të tjerë thonë se kjo nismë nuk i sjell përfitime Shqipërisë. Si mendoni ju?