Vendosni fjalën kyçe....

Duma: S’ka mjerim më të madh për Sali Berishën që nxjerr 5 njerëz kundër PD-së


Nënkryetarja e PD-së Grida Duma, në takimin me gratë dhe vajzat e LDGSH-së foli për atë që ndodhi në protestën e 8 Janarit, ku u shpreh se ata janë treguar të duruar për të mos ia kthyer grupit tjetër dhunën në të njëjtën mënyrë. Duma tha se kjo nuk tregon dobësi, përkundrazi durimi dhe forca e argumentit është sfida më e madhe që kanë.

Duke folur për ish-kryeministrin Sali Berisha, Duma tha se nuk sheh dot mjerim më të madh për të, sesa që sot të mbledhë 5 njerëz.

“Shumë nuk e dinë se çfarë ka ndodhur atë ditë se ne e kemi zgjedhur një strategji, nuk e di sa na kuptohet nga jashtë, të durimit, përmbajtjes. Nuk kam dëgjuar një zonjë, apo një grua demokrate, apo një vajzë të re që na ndjek, që mos të thotë, mos ia ktheni, mos ia ktheni, mos bëni të njëjtën gjë. E kemi bërë këtë diskutim dhe me kryetarin.

A duhet të jemi ne forca apolitike, e cila sjell forcën e argumentit, si forcën më të madhe? Jo forcën si dhunë, jo forcën si brutalitet dhe si banalitet. E kam parë edhe vet personalisht dhe e di që secila nga ju që merret me politikë, e ka këtë pikëpyetje. Që do të thotë, nëse duron, mos tregon gjoja dobësi, se i duket tjetrit i butë dhe i dobët?

Unë mendoj që kjo është sfida më e madhe që ne kemi. Sfida më e madhe që kemi, është që durimi, forca e argumentit dhe logjika, të jetë ajo që do të triumfojë si forcë, jo si dobësi. Dhe është më e madhe forca e durimit dhe e vetëpërmbajtjes, se forca e atij që nuk vetëpërmbahet dhe shkatërron, veçse nuk shikon dhe është errësuar në gjithçka. Në arsyetim dhe në gjithçka.

Unë nuk shikoj dot mjerim më të madh për Sali Berishën, sesa ai që sot të mbledhë 5 njerëz, 190 njerëz, të cilët i respektoj që të gjithë, ua them me të vërtet.

Sigurisht, ka disa njerëz që e bëjnë, po shumë pak me qartësi dhe me errësim sepse s’kanë më të ardhme dhe se të ardhmen e vet e kanë mbyllur vet, nuk ua ka mbyllur askush tjetër. Ajo që ne do të ndërtojmë nga Lidhja Demokratike e Gruas dhe shpresojmë në Partinë Demokratike, është merita, mirënjohja ndaj kontributit, vlera ndaj atij që qëndron, vlera dhe njohja e luajalitetit, e besnikërisë, jo e frikës, jo e servilizmit, jo e keqpërdorjes.”– tha Duma.