Vendosni fjalën kyçe....

Kapet 30-vjeçari që kërkohej nga policitë e disa qyteteve, merrte makina me qira e i shiste për pjesë


Një 30 vjeçar është arrestuar në Berat pasi ishte shpallur në kërkim nga policitë e Tiranës, Durrësit e Lezhës.

I riu me iniciale E.K., banues në Kuçovë akuzohet se pasi merrte makina me qira dhe nuk i kthente mbrapsht duke i kthyer në pjesë këmbimi.

Pranë banesës së tij, policia gjeti dy armë zjarri, një pistoletë dhe një automatik të cilët janë dërguar për ekzaminim në Policinë Shkencore.

Njoftimi

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Osumi”. I shpallur në kërkim për mashtrim, nga 4 Drejtori Vendore të Policisë, kapet dhe ndalohet 30-vjeçari, i cili posedonte dhe një armë zjarri pistoletë. Gjithashtu, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, gjetën të fshehur edhe një armë zjarri kallashnikov. Punohet për identifikimin dhe kapjen e poseduesit të saj. 

Të dy armët e zjarrit të sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, pasi dyshohet se janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Në vijim të kontrolleve të ushtruara në territor, me qëllim kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të shpallur në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike, nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Kuçovë, pas informacioneve për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, i cili posedonte dhe armë zjarri, u organizua dhe finalizua operacioni “Osumi”, për kapjen e këtij shtetasi.

Si rezultat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Forcat Operacionale të DVP Berat dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit:

I.K., 30 vjeç, banues në lagjen “11 Shkurti”, Kuçovë, i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Kuçovë, Komisariati i Policisë Durrës, Komisariati i Policisë Nr. 6 Tiranë dhe DVP Lezhë, për veprën penale “Mashtrimi”.

Ky shtetas merrte makina me qira dhe nuk i dorëzonte më, pasi i kthente në pjesë këmbimi ose i braktiste në rrugë. Nga kontrolli i ushtruar, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur në afërsi të banesës së këtij shtetasi, në Kuçovë, një armë zjarri pistoletë, e cila gjatë hetimeve të para hetimore rezultoi se i përkiste 30-vjeçarit.

Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në vijim të kontrollit të territorit dhe informacioneve të marra në rrugë operative, në lagjen “Çlirim”, gjetën të fshehur një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e poseduesit të kallashnikovit. Materialet janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.”