Vendosni fjalën kyçe....

U arrestua për 143 kg kokainë, Gjykata e Apelit në Durrës liron Erjon Petin

Gjykata e Durrësit ka liruar nga burgu shtetasin Erjon Peti i cili ishte arrestuar së bashku me Klajdi Xibrakun në prill 2021 për 143 kilogramë kokainë në kontenierin e firmës që ata drejtonin.

Ka qenë gjyqtarja e Apelit Durrës, Anita Mici, e cila ka pranuar kërkesën e avokates së Petit, duke e lënë pa asnjë masë shtrënguese.

Arrestimi

Si rezultat i operacionit “El Mejor”, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në një kontenier të ngarkuar me banane, i cili ishte nisur nga porti i GUAYAQUIL në Ekuador dhe kishte kaluar tranzit në portin “GIOIA TAURO”, Itali, me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Tiranë, me administratorë shtetasit Erjon Peti dhe Klajdi Xibraku, shërbimet policore dhe ato doganore gjetën të fshehura në tavanin e kontenierit, pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar kokainë me peshë totale 143 kilogramë.

Në vijim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestuan në flagrancë shtetasit Klajdi Xibraku, 30 vjeç dhe Erjon Peti, 42 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.