Vendosni fjalën kyçe....

Dhurata Çupi në krah të banorëve tek “5 Maji”: Trishtuese këto pamje, Rama ka ndërtuar shtetin e shkatërrimit për njerëzit dhe pasurimit për vete


Deputetët e PD-së Dhurata Çupi dhe Bledion Nallbati nga Komisioni i Ligjeve ishin sot në zonën e “5 Majit” në Tiranë ku banorët po kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre.

Çupi u doli në krah banorëve duke thënë se 430 familje po hidhen në rrugë jo për interes publik, por për të pasuruar më shumë kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj.

“Janë trishtuese këto pamje këtu tek 5 Maji. Shkatërrohet shtëpia, shkatërrohet pasuria. Që nga 2013-a, ne kemi parë shtetin e Edi Ramës që vetëm shkatërron. Shkatërron shtëpitë e qytetarëve, i nxjerr jashtë. Shkatërron rrugët, shkatërron gjithçka vetëm për të ndërtuar për vete.

Këtu po shkatërrojnë 430 shtëpi të qytetarëve, pasi nuk i kanë legalizuar përfundimisht. Ju i dini premtimet për t’i legalizuar të gjtihë, kur u marrin votën dhe sapo mbarojnë votimet, nis shkatërrimi i pronës. Kemi ardhur këtu me kërkesën e banorëve nga komisioni i ligjeve, jo vetëm për të qenë krah qytetarëve, por edhe për të parë dokumentacionin për kallëzimet që do të bëjnë qytetarët.

Për t’iu drejtuar SPAK-ut për rindërtimin në përgjithësi, por dhe për rastin e 5 Majit. Është një rast abuziv. Shkatërrohen 430 banesa për të ndërtuar godina të tjera nga shteti. Pra, nuk është shpronësim publik. E thanë edhe qytetarët. Këtu nuk ndërtohet infrastrukturë. Këtu ndërtohen pallate per Edi Ramën dhe njerëzit e Edi Ramës, prandaj po merr pasuritë e qytetarëve. Shqiptarët nuk njohin parti para shtëpisë së tyre, para jetës së tyre, para fëmijëve të tyre. Ne jemi në krah të qyetarëve sot dhe do të vazhdojmë të jemi për t’i ndihmuar për procedurat ligjore. Nuk kanë njoftim për prishjen e shtëpive, nuk kanë kontratë ku do të rrinë. Askush nuk thotë se ku do të jetojnë sot këta qytetarë që u kanë prishur shtëpitë ndërkohë.

Kjo është një gjendje e jashtëzakonshme dhe e papranueshme. Është historia e nisur nga Edi Rama që në 2013-ën dhe e vadhdon. Pas çdo fushate elektorale bën këto gjëra të tmerrshme me qytetarët, vetëm shkatërron. Ne jemi në krah të qytetarëve kundër pushtetit të Edi Ramës që pasurohet vetë dhe varfëron njerëzit. Sot janë 430 familje këtu, nesër do të jenë diku tjetër. Shqiptarëve u ka marrë tokën, u ka marrë detin dhe ajrin për pushtetin dhe pasurimin e tij.”- tha Çupi.

Deputetët demokratë thonë se janë në krah banorëve jo vetëm me praninë e tyre atje, por edhe me asistencë ligjore për të paditur në prokurori çdo institucion në shkelje të ligjit dhe që mohon të drejtat e 430 familjeve.