Vendosni fjalën kyçe....

“Këshillimi Kombëtar”/ Rama: Çdo shtëpi do marrë një pyetësor, të mos lejojmë llogoret partiake të na marrin peng të ardhmen


Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video-mesazh lidhur me Këshillimin Kombëtar për Shqipërinë. Ai tha se çdo shtëpi shqiptare do të marrë një pyetësor të Këshillimit Kombëtar përmes postës.

Rama tha se përmes pyetësorit synohet të realizohet një kuvendim popullor “ku të merret mendimi i gjithsecilit mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, familjen, drejtësinë, bashkëjetesën tonë demokratike.”

Sipas kryeministrit, është koha të dëgjohemi për mendimet dhe idetë e secilit. Duke iu referuar situatës së brendshme në PD, Rama thotë se është koha të mos lejojmë që llogoret partiake apo kacafytjet për interesa personale brenda tyre, të na e marrin peng të ardhmen në emër të së shkuarës.

“Unë besoj se ne shqiptarët kemi mundësinë të shkojmë shumë më shpejt përpara, duke e dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke menduar për njëri-tjetrin.

Ju po njiheni dita-ditës me një nismë të re të qeverisë, Këshillimi Kombëtar për Shqipërinë. Përmes një pyetësori që po mbërrin në shtëpitë tuaja, dua t’i japim jetë një Kuvendimi popullor, ku të merret mendimi i gjithsecilit mbi ccështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, familjen, drejtësinë, bashkëjetesën tonë demokratike.

Çdo shtëpi shqiptare do të marrë një pyetësor të Këshillimit Kombëtar përmes postës. Më të moshuarit mund ta plotësojnë pyetësorin dhe të na e ridërgojnë me postë pa asnjë shpenzim. Të tjerët mund ta japin opinionin e tyre përmes faqes së Këshillimit Kombëtar Online në platformën tonë të bashkëqeverisjes.

Të gjithë do të mund të përdorin edhe pikat e Këshillimit Kombëtar që do të happen në çdo bashki. Është koha të nxjerrim të gjitha mësimet tona nga këto tre dekada përpjekje demokratike dhe të mos lejojmë që llogoret partiake apo kacafytjet për interesa personale brenda tyre të na e marrin peng të ardhmen në emër të së shkuarës, klisheve të vjetra ‘i majtë’, ‘i djathtë’, të besnikërisë ndaj këtij apo atij tjeterit. Është koha të flasim më shumë si shqiptarë si qytetarë, si njerëz se sa si luftëtarë llogoresh, mllefesh, inatesh kundër njëri-tjetrit.

Është koha të dëgjohemi për mendimet dhe idetë e secilit për shtëpinë tonë të Përbashkët, Shqipërinë. Le të këshillohemi sëbashku për vendimet me rëndësi për familjet shqiptare. Le të dëgjojmë njëri-tjetrin! Me kurriz nga llogoret partiake dhe sytë e imagjinatës nga e adhmja e ndritur e Shqipërisë!“– thotë Rama në këtë videomesazh.