Është mbledhur sot Komisioni Hetimor për impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane.
Në këtë mbledhje, kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku ka kërkuar ndërprerje të financimeve për inceneratorët.
“Kryeministri Rama u shpreh në fund të vitit bashkë me Ministren Balluku se nuk mund të ndërpresin pagesat për inceneratorin e Fierit pasi sipas tyre çështjen inceneratori i Fierit do ta çojë në Arbitrazh. Grupi i strukturuar kriminal me në krye Ramën kanë menduar me djallëzi që të përfshijnë në kontratën e tyre me inceneratorin e Fierit nenin që kjo marrëveshje do të çohet në Arbitrazh.
– Mirëpo sipas të dhënave dhe dokumenteve rezulton që Avokatura e Shtetit kur ka shprehur mendimin e saj në lidhje me kontratën në fjalë i ka sugjeruar Ministrit Koka (por edhe qeverisë) që të ndryshojë pikën në lidhje me gjykatën e Arbitrazhit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka shprehur gjithashtu mendimin e tij në raportin Auditues se ministria e Mjedisit (asokohe ministër Blendi Klosi) duhet të amendonin këtë nen të kontratës pasi ishte e palogjikshme dhe e pafavorshme. Por grupi strukturuar kriminal me në krye Ramën refuzoi që të amendonte këtë pikë të kontratës. Letra me sugjerime i është dërguar tre ministrave, kryetarit të kuvendit dhe ish drejtorit të AKM. Të gjithë këto instanca dje heshtën duke refuzuar ndryshimet.”- tha Tabaku.