Deputetët e Partisë Demokratike në Komisonin Parlamentar të Ligjeve kanë dorëzuar kërkesën për seancë dëgjimore për prishjet e banesave në zonën e “5 majit” në kryeqytet.
Deputetët e PD-së kanë kërkuar në seancë dëgjimore që të paraqiten një sërë drejtuesish të rëndësishëm të institucioneve shqiptare.
Duke filluar nga Erion Veliaj, te Gledis Nano, Avokatja e Popullit dhe te Drejtuesi i IMT-së, sipas kërkesës së PD-së duhet të japin përgjigje për projektin dhe prishjen e banesave.
KËRKESA E PLOTË
KUVENDI
Nr. _______Prot. Tiranë, më 20.01.2022
KËRKESË
DREJTUAR: ZONJËS KLOTILDA BUSHKA
Kryetare e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
KËRKUES: 1/3 E ANËTARËVE TË KOMISIONIT
OBJEKTI: 1) Thirrjen e mbledhjes së Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
2) “Zhvillimin e një seance dëgjimore publike lidhur me problematikën e krijuar në Lagjen “5 Maj”, Bashkia Tiranë, ku është urdhëruar prishja e banesave të qindra familjeve
BAZA LIGJORE: Neni 7 i Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, si dhe nenet 32 dhe 36 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
E nderuar znj. Kryetare e Komisionit,
Ne deputetët e opozitës kemi ndjekur me në vijimësi dhe me shqetësim problematikën në shembjen e banesave të ndodhura në Njësitë Administrative nr. 8 dhe nr. 4, zona “5 Maji”, Tiranë, nga ndërhyrja e strukturave të IMT pranë Bashkisë Tiranë në zbatim të vendimit nr. 533, datë 22.09.2021 të Këshillit të Ministrave “Për shpronësimin për interes publik, në funksion të procesit të rindërtimit për zhvillimin e zonës së re, në përputhje me planin e detyruar vendor, përmes kompensimit me shkëmbim për të gjitha pasuritë që preken nga realizimi i projektit “Për zonën e re për zhvillim një njësinë administrative nr.4 dhe 8, zona “5 Maj”, Bashkia Tiranë”. Problematika është bërë prezent nga një grup banorësh të Njësisë Administrative nr. 8 dhe nr. 4 Tiranë për prishje të banesave të tyre, në media dhe pranë institucioneve përgjegjëse. Duke qenë se cështja është me natyrë urgjente, prek një të drejtë themelore siç është e drejta e pronës, gjykojmë se Komisioni ynë, si Komision përgjegjës për të drejtat e njeriut duhet të marrë në trajtim menjëherë shqetësimin e shprehur nga banorët.
Në këto kushte, në përputhje me pikën 2 të nenit 32 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku parashikohet se: “Mbledhjet e komisionit të përhershëm thirren edhe me kërkesën e jo më pak se ¼ së anëtarëve të Komisionit, duke përcaktuar në kërkesë dhe çështjet që do të diskutohen në mbledhje”, si dhe nenit 36 të saj, ku parashikohet se: “Komisioni është i detyruar të zhvillojë seanca dëgjimore publike me anëtarë të Këshillit të Ministrave, në rast se një e treta e të gjithë anëtarëve të komisionit e kërkon atë në mënyrë të motivuar me shkrim”, me qëllim marrjen e një informacioni të plotë mbi situatën, veprimet e institucioneve përgjegjëse, shqetësimit të qytetarëve, dhe respektimit të të drejtës së pronës,
KËRKOJMË:
“Thirrjen e mbledhjes së Komisionit për për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ditën e premte, datë 21.01.2022, ora 11:00, me këtë rend dite:
“1. Zhvillimin e një seance dëgjimore publike me:
a) Kryetarin e Bashkisë së Tiranës z. Erion Veliaj;
b) Drejtorin e IMT pranë Bashkisë Tiranë;
c) Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit z. Gledis Nano;
d) Avokatin e Popullit znj. Erinda Ballanca
e) Përfaqësues të banorëve të prekur nga projekti.
2. Paraqitja nga institucionet të dokumentacionit të plotë mbi projektin dhe veprimtarinë e institucioneve mbi pronën e qytetarëve”.
Kjo kërkesë e një grupi deputetësh, që përbëjnë 1/3 e anëtarëve të Komisionit, bazohet edhe në nenin 7 të Kushtetutës, ku sanksionohet parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Nën dritën e këtij parimi, merr përparësi funksioni i kontrollit parlamentar, i cili nënkupton të drejtën e pushtetit legjislativ për t’u informuar dhe për të realizuar mbikëqyrjen për zbatimin e ligjeve nga organet e pushtetit publik, brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta, me qëllim marrjen e masave të domosdoshme për parandalimin e paligjshmërisë si dhe nxjerrjen e përgjegjësive, sipas rasteve konkrete. Të gjitha çështjet që përmbajnë në vetvete një interes publik përfshihen brenda funksionit të kontrollit parlamentar. Respektimi i të drejtave themelore të njeriut dhe respektimi i parimeve të shtetit ligjor,është cështje me interes madhor publik.
Pë sa më lart, lutemi thirrjen e mbledhjes së Komisionit në orën dhe datën e propozuar nga ana jonë, për të diskutuar mbi çështjen objekt të kësaj kërkese.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin,
ANËTARËT E KOMISIONIT PËR ÇËSHTJET LIGJORE, ADMINISTRATËN PUBLIKE DHE TË DREJTAT E NJERIUT:
GAZMENT BARDHI ENKELEJD ALIBEAJ
DHURATA ÇUPI (TYLI) SAIMIR KORRESHI
GRETA BARDELI DASHNOR SULA
ELDA HOTI BLEDION NALLBATI