Një grup senatorësh republikanë i bënë thirrje administratës së Presidentit Biden të mërkurën për një përgjigje më të ashpër ndaj kërcënimeve të presidentit rus Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës.
“Historikisht, luftërat janë të lehta për t’u nisur dhe ato janë të vështira për t’u përfunduar. Kjo është arsyeja pse ky kërcënim i sanksioneve pas faktit (një sulmi rus ndaj Ukrainës) nuk është i mjaftueshëm për të penguar Vladimir Putinin dhe për ta parandaluar atë nga një pushtim i mëtejshëm i Ukrainës”, tha senatori John Cornyn në një konferencë shtypi në Kapitol të mërkurën, raporton VOA.
“As premtimet për ndihmë financiare për ukrainasit nuk janë të mjaftueshme për të penguar Putinin. Qëllimi ynë dypartiak duhet të jetë frenimi i Putinit dhe ta bëjmë atë të mendojë dy herë para se të shqyrtojë mundësinë e pushtimit të Ukrainës”, shtoi senatori Cornyn.
Pjesë e këtij grupi janë edhe senatorët republikanë nga Komisioni i Senatit për Forcat e Armatosura dhe ai për Marrëdhëniet me Jashtë.
Senatorët Kevin Cramer, Roger Wicker dhe Rob Portman ishin pjesë e një delegacioni dypartiak të kongresit që udhëtoi në Kiev për t’u takuar me zyrtarët ukrainas këtë javë për të përforcuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën dhe nevojat e saj mbrojtëse.
Një grup senatorësh dypartiak gjithashtu u takua virtualisht me Presidentin Biden të mërkurën në mëngjes për të diskutuar politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës. Në një deklaratë të lëshuar pas këtij takimi, Shtëpia e Bardhë tha: “Presidenti Biden përgëzoi historinë e fortë të mbështetjes për Ukrainën nga të dyja partitë politike dhe ra dakord të vazhdojë të punojë ngushtë me Kongresin ndërsa administrata përgatitet të imponojë saknsione dhe masa të forta në përgjigje të një agresioni rus ndaj Ukrainës”.
Sipas vlerësimeve të Shteteve të Bashkuara, Rusia ka grumbulluar gati 100,000 trupa në kufirin me Ukrainën. Në fillim të kësaj jave, Rusia tërhoqi personelin nga ambasada e saj në Kiev, një shenjë se një sulm ndaj Ukrainës mund të jetë i afërt. Disa raunde bisedimesh në Bruksel midis Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj evropianë ngecën javën e kaluar, pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj hodhën poshtë kërkesën ruse për të dhënë garanci se Ukraina nuk do të lejohet kurrë të bëhet anëtare e aleancës transatlantike.
Senatori demokrat Richard Blumenthal, i cili ishte gjithashtu në këtë udhëtim në Kiev, u tha gazetarëve të hënën pasi ligjvënësit u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy se Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të vendosnin sanksione ekonomike ndaj Rusisë dhe të siguronin armë shtesë për Ukrainën.
Por senatorët republikanë thanë se dështimi javën e kaluar i projektligjit të senatorit Ted Cruz për sanksione ndaj gazsjellësit rus “Nord Stream 2” ishte një hap prapa në përpjekjet për të frenuar qëllimin e Putinit për të pushtuar Ukrainën. Projektligji nuk arriti të enjten e kaluar pragun e 60 votave të nevojshme për të marrë miratimin, duke marrë 55 vota pro dhe 44 kundër.
“Kjo ishte në fakt një dhuratë për Putinin, veprimet e tyre”, tha senatorja republikane Joni Ernst, duke përshkruar votën kryesisht demokratike kundër projektligjit.
Demokratët prezantuan përgjigjen e tyre ndaj grumbullimit të trupave ruse në fillim të këtij viti, me Aktin e Mbrojtjes së Sovranitetit të Ukrainës të vitit 2022. Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Menendez, bashkë-sponsor i projektligjit, tha: “Ky legjislacion e bën absolutisht të qartë se Senati i Shteteve të Bashkuara nuk do të qëndrojë duarkryq në kohën kur Kremlini bënë kërcënime për një ri-pushtim të Ukrainës.
Nëse miratohet, projektligji do të aktivizonte menjëherë sanksione financiare ndaj Rusisë në rast të një pushtimi të Ukrainës, duke përfshirë sanksione kundër gazsjellësit “Nord Stream 2”. Projektligji i demokratëve do të autorizonte gjithashtu 500 milionë dollarë ndihmë emergjente për Ukrainën.
Senatori republikan Kevin Cramer tha se ai do të ishte i hapur për kompromis me legjislacionin për të detyruar Senatin të veprojë shpejt në përgjigje të veprimeve ruse.
Ai shtoi, “ndërsa ne sigurisht kemi disa mosmarrëveshje të sinqerta politike, veçanërisht në lidhje me sanksionet ndaj gazjellësit “Nord Stream 2”, kjo nuk duhet të shihet nga Vladimir Putini ose Rusia si përçarje në vendosmërinë tonë për të mbështetur popullin e Ukrainës dhe lirinë.”