Pas takimit që pati më herët në Presidencë me presidentin Ilir Meta, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha se data 6 mars është menduar nga Kreu i Shtetit për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në bashkitë pa kryetar.
Në një dalje për mediet, Balla tha se socialistët bien dakord me datën.
“Për ne nuk ka asnjë datë. Data është e përcaktuar nga ligji dhe Kushtetuta dhe nga presidenti jemi informuar dhe presidenti mendon që zgjedhjet e pjesshme të zhvillohen në 6 mars. Zgjedhjet duhet të ishin zhvilluar, e rëndësishme është që në këtë moment pas edhe vendimit të kushtetueses biem dakord se ne kemi qenë në anën e duhur të historisë.
Besoj Presidenti e ka kuptuar që ka qenë në krahun e kundërt. Kush e ka shkelur kushtetuetën deri më sot, besoj e ka kuptuar se ka qenë gabim, po nuk hyra fare në këtë pjesë. Kuvendi i Shqipërisë është investuar në procese të rivendosjes se kushtetutshmërisë. Ka pas një përpjekje për të penguar qytetarët të shprehen me votë më 30 qershor. Ligjshmëria dhe kushtetutshmëria është orientimi ynë në të gjitha rastet.“- tha Balla.
Gazetarët e pyetën Ballën se pse ishte vetëm ai në konsultimin me presidentin, por ai tha se praktika është që për zgjedhjet vendore konsultimi është bërë gjithmonë më kryetarët e grupeve parlamentare.
“Kjo është një pyetje që duhet t ia bëni Presidentit të Republikës. Praktika ka qenë që për zgjedhjet vendore konsultimi është bërë me kryetarët e grupeve parlamentare. Ndaj natyrshëm që kjo është një cështje që më ka thirrur mua dhe jo grupe të tjera, besoj presidenca do ketë një përgjigje për këtë.”- tha Balla.