Me tensione e përplasje mes policisë e qytetarëve është shoqëruar prishja e disa banesave në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë.
Dhjetëra forca policie e punonjës të IKMT-së shkuan në orët e para të mëngjesit në zonë për të prishur banesat për t’i hapur rrugën ndërtimit të një blloku pallatesh, që sipas bashkisë do strehojnë banorët, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Gjatë operacionit e gjithë zona është rrethuar nga policia dhe mediat nuk janë lejuar në terren.
Një pjesë e banorëve kanë nënshkruar një marrëveshje me bashkinë për prishjen e ndërtesave ndërsa një pjesë e tyre e kanë kundërshtuar duke deklaruar se çështja është në gjyq.
Ata e kanë kallëzuar në prokurori e SPAK, bashkinë për prishjen e shtëpive të tyre duke e konsideruar të paligjshëm operacionin. Ata kanë kërkuar që të kenë një kontratë të ligjshme me firmë e vulë me bashkinë duke thënë se deri tani nuk e kanë një të tillë.
Po kështu ata kanë deklaruar se pas prishjes së banesave do kallëzojnë në prokurori Bashkinë Tiranë dhe Policinë e Shtetit për dëmtim prone e shpërdorim detyre.
Një pjesë e tyre janë shoqëruar në polici ndërsa prishja e tre banesave po kryhet ndërkohë nga IKMT-ja.
Javë më parë Bashkia Tiranë ka deklaruar se e ka arritur marrëveshjen me banorët që preken nga prishja e banesave duke thënë se do kompensohen në pallatet e reja sipas metrave katrorë të banimit që kanë pasur.