Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar lidhur me rastin e dhunimit të operatorit Ledion Guni tek zona “5 Maji”.
Kujtojmë se Guni ishte duke transmetuar live shembjen e banesave te 5 Maji, mirëpo në një moment u tërhoq me forcë nga punonjës të policisë pavarësisht se ai ishte lehtësisht i identifiueshëm se ishte operator.
Në një njoftim për mediet, Unioni i Gazetarëve shprehet se shoqërimi dhe dëmtimi i rëndë fizik i operatorit përbën një rast të paprecedent, ndaj bën thirrje që përgjegjësit e dhunës të vihen para drejtësisë.
Sikurse ka bërë me dije “Fax News”, Guni ka pësuar shembje në shpatull dhe është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Deklarata e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon me forcë sjelljen e dhunshme të efektivëve të Policisë Bashkiake të Tiranës ndaj operatorit të televizionit Fax News, Ledio Guni, gjatë ditës së sotme në rrugën ”5 Maji”. Imazhet e publikuara kur operatori Guni forcërisht dhe me brutalitet dëbohet nga vendi i ngjarjes ku kryente detyrën e vet profesionale, janë tronditëse dhe të patolerueshme. Shoqërimi dhe dëmtimi i rëndë fizik i operatorit përbën një rast të paprecedent.
UGSH dënon me forcë këtë episod. Kërkojmë menjëherë vënien para përgjegjësisë ligjore të personave me uniformën e policisë bashkiake që janë autorë të dhunës së ushtruar mbi operatorin e televizionit. Në mënyrë të menjëhershme të gjithë përgjegjësit e kësaj dhune policore të vihen para përgjegjësisë.
Raportimi dhe pasqyrimi i realitetit në shoqërinë dhe vendin tonë janë mision i shenjtë për çdo gazetar dhe operator medieje. Këtë shenjtëri nuk mund ta cënojë apo dhunojë askush!
UGSH shpreh solidaritetin e fuqishëm me operatorin Guni dhe stafin redaksional të Fax News, duke qenë i vendosur për të gjitha format e reagimit në mbrojtje të lirisë së raportimit dhe kundër çfarëdolloj dhuneje që vjen nga individë apo segmente pushtetesh.