Vendosni fjalën kyçe....

Vrasësi masiv bën përshëndetje naziste në seancën e lirimit me kusht


Vrasësi masiv norvegjez Anders Breivik është paraqitur para një bordi të lirimit me kusht pas vetëm një dekade në burg. Ekstremisti, i cili vrau 77 persona bëri një përshëndetje naziste teksa bëri thirrje për t’i dhënë fund ‘gjenocidit’ kundër kombeve të bardha.

Të martën, Breivik doli përpara një gjyqtari norvegjez për një seancë dëgjimore për lirimin me kusht, e cila do të vendosë nëse ai duhet të lirohet para kohe.

Ekstremisti i ekstremit të djathtë dha një përshëndetje naziste teksa hyri në gjykatë dhe bëri një shenjë të supremacistve të bardhë me gishta.

I veshur me një kostum të errët dhe me kokën e rruar, ai më pas vazhdoi të tregojë tabela të bëra vetë, të shtypura në anglisht me fjalët: “Ndaloni gjenocidin tuaj kundër kombeve tona të bardha”.

Breivik e përshkroi veten, ndër të tjera, si ‘Sekretari i Partisë për Shtetin Nordik’, kur iu kërkua të prezantohej në gjykatë.

Prokurorja publike Huldah Karlsdottir i tha Reuters përpara seancës se ishte e nevojshme që Breivik të qëndronte në burg për të mbrojtur shoqërinë.

Vrasësi masiv është në gjysmë të rrugës së një dënimi maksimal prej 21 vitesh, i cili do të zgjatet nëse ai konsiderohet ende një kërcënim për shoqërinë.

Duke folur për gazetën Verdens Gang, psikiatri i burgut Randi Rosenqvist, e cila është thirrur si dëshmitare në seancë, tha se vlerësimi i saj nuk ka ndryshuar që nga viti 2013. Ajo kishte arritur në përfundimin se Breivik ‘do të ishte sërish në gjendje të kryente akte dhune nëse do gjente mundësinë’.

Ekstremisti i ekstremit të djathtë, i cili tani quhet Fjotolf Hansen, kreu mizorinë më të keqe të Norvegjisë në kohë paqeje në korrik 2011.

Tetë persona vdiqën kur Breivik vendosi një makinë bombë në një zonë të Oslos të mbushur me zyra qeveritare. Më pas ai udhëtoi për në ishullin Utoya dhe vrau 69 persona, shumica prej tyre adoleshentë, në një kamp rinor të Partisë Laburiste.