Duket se ka ndryshuar dëshmia e administratorit të shkollës private në Tiranë Lulzim Masha, i cili i shpëtoi një sulmi me armë disa ditë më parë.
Ndonëse në një telefonatë me televizionin “News 24” 63-vjeçari pretendonte se nuk ka qenë ai subjekt i një atentati, në dëshminë tjetër para policisë ai është shprehur ndryshe.
Sipas “Top Channel” i pyetur nga policia Masha ka pranuar se prej 6 apo 7 ditësh kishte vënë re që po e ndiqte një person i panjohur.
“Ky person më ka ndjekur mes datave 23 dhjetor 2021 dhe kam vënë re që më ndiqte me sy në afërsi të shkollës.” – është shprehur ai sipas policisë.
Masha, i cili u qëllua me armë zjarri teksa po udhëtonte me automjetin e tij tip “Benz” ka përshkruar detajet e këtij personi që është mes moshës 25- deri në 30 vjeç, ai mbante veshur një kapele në ngjyrë të zezë, pantallona xhinse jo shumë të errëta, me pak mjekër, ishte esmer.
Pasi kishte marrë makinën për t’u nisur për punën, Masha tregon se afër lojërave për fëmijë nga ana e trotuarit, një djalë i ri e ka goditur me armë, duke folur diçka nëpër dhëmbë dhe duke qëlluar njëkohësisht në drejtim të tij.
“Unë kam dëgjuar të shtënat, shton 63-vjeçari dhe jam larguar me shpejtësi nga vendi ku më ka gjuajtur, pastaj kam kthyer mjetin nga drejtimi nga iku personi dhe pasi kam parkuar mjetin në orën 9.42 minuta kam telefonuar policinë.”- citon “Top Channel”.
63-vjeçari ka deklaruar se kërkon mbrojtje nga shteti, ndonëse pretenton se ai vetë nuk ka asnjë problem, as ai dhe as familja e tij.