Vendosni fjalën kyçe....

Autokracitë më të besueshme se demokracitë – Studimi


Një sondazh global ka zbuluar se autokracitë janë bërë gjithnjë e më të besueshme, ndërsa besimi te demokracitë ka rënë. Një nga arsyet e dhëna është gjoja menaxhimi i dobët i pandemisë Covid-19 në shtetet demokratike.

Në një studim të botuar këtë javë, Edelman Trust Barometer, një grup komunikimi që ka anketuar mijëra njerëz gjatë dy dekadave, tha se sondazhi i tij më i fundit tregoi një mungesë shqetësuese besimi në qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike.

Grupi, i cili intervistoi mbi 36,000 të anketuar në 28 vende nga 1 deri në 24 nëntor, zbuloi se institucionet gjermane ishin humbësit më të mëdhenj, pasi vlerësimi i besimit të tyre ishte ulur shtatë pikë në krahasim me vitin e kaluar, në 46.

Australia me 53 (-6), Holanda me 57 (-6), Koreja e Jugut me 42 (-5), dhe Shtetet e Bashkuara me 43 (-5) u konsideruan gjithashtu se kishin humbur besimin më të madh të publikut.

Në të kundërt, shtetet më autokratike panë rritje të besimit të publikut. Kina arriti një vlerësim prej 83, 11 pikë më lart, Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në 76, 9 pikë lart dhe Tajlanda në 66, 5 pikë më shumë.

“Ne kemi vërtet një kolaps besimi në demokracitë.” – tha Richard Edelman, i cili kryeson grupin. Ai shtoi se mes qytetarëve ka nivele të larta shqetësimi për humbjet e vendeve të punës.

Edelman pretendoi se nivelet më të larta të besimit publik në Kinë ishin të lidhura me një ndjenjë më të madhe të parashikueshmërisë në lidhje me politikën kineze, me referencë të dukshme ndaj pandemisë.

“Unë mendoj se ka një koherencë midis asaj që bëhet dhe asaj që thuhet. Ata kanë pasur një trajtim të pandemisë Covid më të mirë se SHBA për shembull.” – i tha ai Reuters.

Kjo u reflektua edhe në perspektivat ekonomike, me dy të tretat e njerëzve në Kinë të sigurt se familjet e tyre do të ishin më mirë në pesë vjet, pavarësisht nga ngadalësimi i ekonomisë dhe krizës së strehimit.

Për krahasim, vetëm 15% e njerëzve në Japoni ishin optimistë për pasurinë e tyre ekonomike. Në shumicën e vendeve të tjera demokratike, rreth 20-40% iu përgjigjën pozitivisht të njëjtës pyetje.