Pas mbledhjes së Kryesisë, kryeministri Edi Rama thotë se Partia Socialiste nuk do të ketë kandidatë nga radhët e deputetëve në zgjedhjet e pjesshme vendore të dekretuara nga Presidenti për datën 6 Mars.
Ai u shpreh se përparësi për të kanë kandidatet gra.
“Sa i takon vendimit për të bërë zgjedhjet në 6 bashki kemi folur për të nisur menjëherë organizimin, është proces ku ne sigurisht do jemi pjesë do respektojmë afatet do paraqesim kandidatët. Nuk mendoj se do kemi deputetë në parim në këtë garë se deputetët janë zgjedhur për të bërë deputetin e ky është mendimi i gjithë kryesisë! Sa për kandidimin e grave, mes një burri me një grua, zgjedh një grua.”- tha Rama.
I pyetur nëse do u jepet një shans i dytë rikandidimi personave që janë përjashtuar më herët për shkak të dekriminalizimit, Rama tha se PS nuk i jep asnjë personi këtë shans të dytë.
Gjatë fjalës së tij, Rama i pret shpresat ish-kryebashkiakut të Shkodrës Valdrin Pjetri për rikandidim pasi ai kërkoi një shans të dytë.
“Shanset e dyta jepen në marrëdhënie individuale, shanset e dyta mund t’i japim kur jemi miq që për një arsye apo tjetër miqësia lëndohet por shanset e dyta i jep pastaj Zoti ndërsa PS nuk i jep shans të dytë askujt që e ka vënë në pozitë të vështirë duke gënjyer, s’ka shanse të dyta për askënd që bën deklarata lidhur me jetën e veprimtarinë politike e të gjitha ato aspekte që kanë të bëjnë me ligjin e pastërtisë së figurës nuk e meriton.”– tha Rama.