Vendosni fjalën kyçe....

Meta pas dekretimit të datës së zgjedhjeve: Shumë pasoja kanë ardhur për shkak të bojkoteve, tani nuk ka shmangie nga asnjë forcë politike


Presidenti Ilir Meta ka folur nga qyteti i Shkodrës, pas dekretimit të datës 6 mars për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki të vendit.

Gjatë fjalës së tij, Meta u ka bërë apel të gjithë aktorëve politikë që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mos i bojkotojnë ato.

“Problemet me të cilat ndeshet vendi ynë prej kohësh kanë të bëjnë me respektimin që duhet të kemi të gjithë ndaj institucionit të votës së lirë, si qytetarë dhe si anëtarë të forcave të ndryshme politike e shumë pasoja kanë ardhur edhe për shkak të bojkoteve në të kaluarën.

Aktorët politikë të gjithë të dëshmojnë reflektimin e duhur dhe t’i shërbejnë një procesi shembullor që do jenë në vëmendjen e institicioneve që kanë bërë vërejtje për standartet e zgjedhjeve.”- tha Meta.

Presidenti shtoi më tej se asnjë parti nuk ka shmangie nga këto zgjedhje.

“Nuk ka asnjë shmangie të asnjë force politike, as të PS, e as të PD, as të LSI, as të PR, e partive të tjera. Është një mundësi edhe për shoqërinë civile, grupet e interesit dhe çdo qytetarë që të marrë pjesë e të kontribuojë për një proces të qetë.

Të favorizuar janë qytetarët të cilët do të kenë në 6 mars mundësinë për të zgjedhur mes disa kandidatëve. Kjo është në interesin e qytetarëve për të zgjedhur.”- u shpreh Presidenti.

Në këtë dalje për mediet, Meta u pyet lidhur me reagimin që bëri një ditë më parë për takimin e tij me Taulant Ballën, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.

 “Nuk dua të bëj replika as serioze dhe as gazmore është një moment i rëndësishëm për të rindërtuar për të rivendosur për të rehabilituar insitucionin e votës së lirë në vend.

Nuk janë zgjedhje kombëtare apo të përgjithshme vendore por është një proces që përfshin disa nga bashkitë më kryesore të vendit dhe në aspektin gjeografik shtrihet nga Thethi deri në Lushnje.”-iu përgjigj Meta gazetarëve.