Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Do krijojmë një qendër për mbrojtje kibernetike me SHBA-të


Në ceremoninë e mbajtur sot me rastin e nisjes së procesit të modernizimit të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi krijimin e një qendre kibernetike në vend në bashkëpunim me strukturat e SHBA.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se krijimi i kësaj qendre është vlerë e shtuar jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për NATO-n.

“Është bërë një lloj zakoni në këtë vend që përmendet ambasadorja e SHBA-ve vend e pa vend. Por kjo është e vërteta. Falë angazhimit të saj në një ndërmjetësim të vazhdueshëm të qeverisë sonë dhe strukturave përkatëse përtej oqeanit jemi duke folur për një projekt që ka të bëjë me krijimin e një qendre ekselence të mbrojtjes kibernetike, jo vetëm për Shqipërinë por edhe si një vlerë tjetër e shtuar për gjithë NATO-n.

Gjëra që mund të duken komplet të pabesueshme, siç dukej që ne të kishim një bazë taktike të NATO-s këtu, por falë partneriteve të duhura, falë pozicionit tonë strategjik dhe falë vullnetit dhe pasionit për t’i dhënë një përmasë tjetër Shqipërisë duke shfrytëzuar jo vetëm pozicionin gjeografik si në rastin konkret, por edhe duke shfrytëzuar edhe teknologjinë dhe inovacionin. Ne mund ta bëjmë realitet edhe këtë që sapo thashë.”- deklaroi Rama, në takimin ku e pranishme ishte edhe ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim.