Vendosni fjalën kyçe....

Raporti që rëndon mbi Papën e dorëhequr, Benedikti XVI: U njoftua për abuzimet seksuale dhe s’mori asnjë masë kur ishte arqipeshkv


Ish-Papa Benedikti XVI dështoi të vepronte për katër raste të abuzimit të fëmijëve në kohën kur ishte arqipeshkv i Mynihut. Të paktën në këtë përfundim arrin një hetim i autoriteteve gjermane për Kishën Katolike.

Papa Benedikti, i quajtur atëherë Josef Ratzinger, mbajti postin e arqipeshkvit nga viti 1977 deri në 1982. Ai i ka mohuar akuzat.

Por një raport i ri i kryer nga një firmë ligjore gjermane e inkriminon ish-Papën. Siç shkruan BBC duke iu referuar këtij raporti, abuzimi vazhdoi gjatë mandatit të tij dhe priftërinjtë e akuzuar mbetën aktivë në rolet e kishës.

Ish-papa, tani 94 vjeç, u bë udhëheqësi i parë i Kishës Katolike që dha dorëheqjen në më shumë se 600 vjet në vitin 2013. Që atëherë, ai ka bërë një jetë kryesisht të qetë në qytetin e Vatikanit dhe njihet si Papa emeritus. Raporti i ri, i porositur nga Kisha Katolike, pretendon se atij iu thanë faktet e rasteve të abuzimit të fëmijëve ndërsa vepronte si kryepeshkop, por ai nuk ndërmori asnjë veprim.

“Dy nga këto raste kanë të bëjnë me abuzime të kryera gjatë mandatit të tij dhe të sanksionuara nga shteti.”- tha avokati Martin Pusch teksa lexonte raportin. “Në të dyja rastet, autorët kanë mbetur aktiv nën kujdesin baritor”.

Në një rast, supozohet se papa e dinte për një prift të akuzuar për abuzim me djemtë, i cili u transferua në dioqezën e tij por vazhdoi të punonte në rolet e kujdesit baritor.

Ish-papa raportohet se i është përgjigjur pyetjeve të firmës ligjore, në duke shprehur mbështetjen e tij për hetimin, por mohoi çdo njohuri ose mungesë veprimi rreth akuzave për abuzim.

Megjithatë, raporti përmban procesverbale që sugjerojnë fuqimisht se ai ishte i pranishëm në një takim në të cilin u diskutua kjo temë.

Vatikani tha në një deklaratë se do të shqyrtonte detajet e raportit pasi të ishte publikuar. “Ndërsa ritheksojmë ndjenjën e turpit dhe keqardhjes për abuzimet ndaj të miturve nga priftërinjtë, Selia e Shenjtë shpreh mbështetje për të gjitha viktimat dhe konfirmon rrugën për mbrojtjen e të miturve, hapësira të garantuara të sigurta për ta.”- vijon deklarata e Vatikanit.

Një raport i mëparshëm për abuzimin historik në Gjermani arriti në përfundimin se më shumë se 3600 njerëz në mbarë vendin ishin abuzuar nga anëtarët e klerit midis viteve 1946 dhe 2014. Shumë nga viktimat ishin shumë të rinj dhe shërbenin si djem në altar.