Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla duke kujtuar 11 vjetorin e 21 Janarit, ku gjatë protestës u vranë 4 protestues deklaron se më 21 Janar 2011, Sali Berisha urdhëroi të qëllohet me plumba mbi popullin.
Sipas Ballës qytetarët kishin dalë në protestën më të madhe kundër regjimit të Berishës i cili i mori jetën katër shqiptarëve të pafajshëm e plagosur dhjetëra të tjerë.
Më tej Balla thotë se hezitimi 11 vjeçar i prokurorisë për të marrë si fillim në pyetje dhe më pas nën akuzë atë që dha urdhrin të qëllohet mbi popullin, është turpi i drejtësisë.
“Kurrë nuk do e harrojmë. Më 21 Janar 2011 Sali Berisha urdhëroi të qëllohet me plumba mbi popullin që kishte dalë në protestën më të madhe kundër regjimit të tij korruptiv, duke u marrë jetën katër shqiptarëve të pafajshëm e plagosur dhjetëra të tjerë. Sali Berisha e ka pranuar botërisht se ai ka qenë urdhëruesi. Kemi depozituar kallëzim penal pas ngjarjes me prova dhe fakte ndaj zinxhirit komandues të vrasjeve më 21 Janar, kupola e të cilëve nuk u morën kurrë të pandehur. Hezitimi 11 vjeçar i prokurorisë për të marrë si fillim në pyetje dhe më pas nën akuzë atë që dha urdhrin të qëllohet mbi popullin, është turpi i drejtësisë. Për fat të keq edhe i drejtësisë së re, e cila po luan ping-pongun e vjetër me dosjen sipas tyre ende pa autor të dëshmorit Aleks Nika. Urdhëruesi është Sali Berisha!”-shkruan Balla.