Vendosni fjalën kyçe....

Balluku: I kemi marrë masat për furnizimin me energji e kalueshmërinë e rrugëve


Ministrja e Energjisë Balluku ka deklaruar sot se janë marrë të gjitha masat që të mos ketë mungesë të energjisë elektrike në ditët në vijim ku pritet të ketë ulje të madhe temperaturash sidomos në zonat malore të vendit.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, ajo theksoi se OSHEE e KESH janë në gatishmëri për të riparuar çdo defekt të mundshëm në mënyrë që qytetarëve të mos u mungojë energjia.

Po kështu ajo bëri thirrje që qyterarët të mos e shpërdorojnë energjinë, duke qenë se bëhet fjalë për një situatë të jashtëzakonshme.

“Ne kemi marrë masat në të gjithë Shqipërinë. OST, OSHEE edhe KESH janë në gatishmëri. Në kaskadë jemi duke prodhuar me fuqi të plotë, megjithatë ka rritje të kërkesës. E kemi nisur muajin janar me 14 mijë megavat orë kërkesë ditore, ndërkohë që sot dhe në ditët në vazhdim parashikohet që të kemi 24 mijë megavat orë kërkesë ditore, pra siç e kuptoni rreth 70-80% më shumë, gjë e cila do të bëjë që të kemi një presion shumë të madh mbi sistemin energjetik dhe përveç prodhimit të kaskadës do të na duhet sigurisht ti drejtohemi importit. Megjithatë ne kemi marrë masat e duhura për të furnizuar të gjithë qytetarët, të gjitha bizneset kudo që ndodhen në territorin tonë. Do të kërkoj që të jemi të kujdesshëm, të mos e  shpërdorojmë energjinë, të mundohemi dhe të kuptojmë që kjo është një situatë e jashtëzakonshme dhe në vendin tonë ne po punojmë që gjithçka të jetë normale.” – tha Balluku.

Po kështu ministrja tha informacione edhe lidhur me gjendjen e rrugëve në vend.

Balluku theksoi se të gjitha rrugët në vend janë të kalueshme dhe se kompanitë që kujdesen për mirëmbajtjen e rrugëve i kanë të marrë të gjitha masat që qarkullimi të mos pengohet.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimet turistike në pesë ditët në vijim.

“Të gjitha akset nacionale janë të aksesueshme. Të gjitha kompanitë janë në terren dhe kanë marrë masa për ti mbajtur këto akse të hapura pa asnjë lloj ndalimi. Megjithatë unë dua ti bëj thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve se është shumë, po shumë e rëndësishme që ju të tregoheni të kujdesshëm, të ecni me ngadalë, të keni pajisjet që duhet për raste të tilla, kur ka ngrica dhe dëborë siç janë zinxhirët, apo mbi të gjitha të vendosni rripin e sigurisë. Ne do t’ju garantojmë të gjitha rrugët e hapura, edhe rrugët dytësore, siç janë ato të Verilindjes, apo të Veriut, apo të Lindjes, të cilat shpesh herë kanë problematika, ne do të punojmë ditë e natë për ti mbajtur të hapura. Është bërë kriposja e të gjitha akseve, por na duhet bashkëpunimi juaj në këto momente. E duhet thënë dhe diçka tjetër. Me këto temperatura unë e di që edhe fëmijët do t’ju kërkojnë që të dilni nga shtëpia dhe të shkoni nëpër zona malore aty ku ka dëborë apo aty ku mund të argëtoheni, por nuk është rasti në pesë ditët e ardhshme pasi me të vërtetë do të kemi temperatura të ulëta, minus, rekord të cilat do të krijojnë probleme si për drejtimin e automjeteve ashtu dhe për kushtet e tjera të sigurisë rrugore.” – theksoi Balluku.