Vendosni fjalën kyçe....

Ish-oficeri i KGB-së në Britani ankohet se e kanë kërcënuar me vdekje


Një ish-agjent i shërbimit sekret të Bashkimit Sovjetik, KGB, i cili dezertoi në Britaninë e Madhe në vitin 1998, ka pohuar se ai ka marrë shtatë kërcënime me vdekje që kur autoritetet britanike zbuluan identitetin e tij.

Sipas tabloidit ‘The Mirror’, Boris Karpichkov ishte një major i KGB-së në vitet 1980 dhe shërbeu në agjencinë e kundërzbulimit të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) në të njëjtin gradë pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Karpichkov, me origjinë nga Letonia, dezertoi në Britani në vitin 1998, ku ka jetuar që atëherë, pas disa vitesh që i kishte dorëzuar Rigës sekretet ruse si agjent i dyfishtë.

Në Letoni, Karpichkov kërkohet për krime të shumta, duke përfshirë posedimin e armëve të zjarrit, mashtrimin dhe falsifikimin e dokumenteve. Autoritetet në shtetin baltik kanë kërkuar disa herë pa sukses që Londra të ekstradojë ish-agjentin.

Megjithatë, përmes procesit ligjor, autoritetet letoneze kanë marrë identitetin dhe adresën e supozuar të Karpichkov nga Agjencia Kombëtare e Krimit të Britanisë.

Që kur Riga mësoi për pseudonimin e ri të Karpichkov, ai ka marrë kërcënime të shumta me vdekje, tha ai për ‘The Mirror’ të shtunën.

Sipas Karpichkov, paralajmërimi më i fundit erdhi më 2 janar.

 “Tradhtarët si ju nuk kanë vend në tokë. Vdekja është rrugës. Ti je tashmë një gjysmë kufomë.” – shkruhej në një letër.

Karpichkov beson se ai është në shënjestër të Rusisë që kërkon të hakmerret për dezertimin e tij dhe pretendon se një letër që ai mori dikur i drejtohej pseudonimit të tij Vadim Petrovich Kravchenko, një identitet mbulesë që ai përdori ndërsa spiunonte letonezët për Moskën. Në vitin 2020, një gjykatës në Londër vendosi se ai nuk mund të ekstradohej pasi jeta e tij ishte në rrezik.

Në një intervistë të vitit 2018 me ‘Bloomberg’, Karpichkov pretendoi se emri i tij ishte në një listë të personave që dyshohet se do të eliminoheshin nga shërbimet ruse të sigurisë.

Sipas tij, lista përfshinte gjithashtu ish-kolonelin e GRU-së, Sergey Skripal, një person që autoritetet britanike pretendojnë se u helmua nga Moska me agjentin e famshëm nervor Novichok. Autoritetet ruse kanë mohuar vazhdimisht përfshirjen në incident.