Vendosni fjalën kyçe....

Japonia shton presionin ndaj Rusisë për ishujt në Paqësor


Tokio nuk do të heqë dorë nga pretendimi i saj se Ishujt Kurile në Oqeanin Paqësor i përkasin asaj dhe dëshiron të arrijë një marrëveshje me Moskën për të zgjidhur mosmarrëveshjen, tha të martën ministri i Jashtëm i Japonisë.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Yoshimasa Hayashi iu përgjigj pretendimeve të homologut të tij rus Sergej Lavrov se Tokio po kundërshton të njohë rezultatet e Luftës së Dytë Botërore, kur Bashkimi Sovjetik mori kontrollin e Ishujve Kurile.

“Sovraniteti ynë shtrihet në katër ishujt veriorë.” – tha Hayashi.

“Ne synojmë të vazhdojmë negociatat këmbëngulëse në bazë të pozicionit tonë bazë, që është dëshira për të nënshkruar një traktat paqeje pas zgjidhjes së çështjes territoriale.” – shtoi ai.

Ishujt, të quajtura Iturup, Kunashir, Shikotan dhe Habomai, ishin të gjitha pjesë e Japonisë përpara Luftës së Dytë Botërore.

Pas përfundimit të konfliktit, Bashkimi Sovjetik dhe Japonia nuk nënshkruan një traktat paqeje, ku mosmarrëveshja mbi sovranitetin e tyre ishte pika kryesore e përplasjes. I gjithë zinxhiri i ishujve ka qenë në posedim të Moskës që atëherë.

Të dy vendet janë përpjekur të arrijnë në një zgjidhje për ishujt për më shumë se gjysmë shekulli, por Rusia ka theksuar vazhdimisht se sovraniteti i saj mbi këto territore nuk mund të diskutohet.

Vitin e kaluar, kryeministri japonez i sapo zgjedhur Fumio Kishida përsëriti se Tokio nuk do të nënshkruajë një traktat paqeje me Moskën derisa të gjendet një zgjidhje.

Në vitet e fundit, Rusia ka kërkuar të fortifikojë Kurilet dhe në fund të vitit 2021, vendosi sistemin raketor Bastion në ishullin Matua. Dikur një bazë e madhe japoneze, Matua tani është shtëpia e një ekuipazhi rus që do të ndihmojë në kontrollin e Detit të Okhotsk, i cili ndodhet midis zinxhirit ishullor dhe Rusisë kontinentale.