Qeveria e Moldavisë ka shpallur një gjendje të re të jashtëzakonshme 60-ditore, pas një paralajmërimi nga firma ruse e energjisë Gazprom se mund të ndalojë dërgesat e gazit në vend për shkak të faturave të papaguara.
Lajmin e bëri të ditur kryeministrja Natalia Gavrilita në një seancë të kabinetit të mërkurën, duke thënë ‘se vendimi është miratuar. Tani duhet të konfirmohet nga parlamenti. Pas kësaj, një komision urgjence do të marrë masat e plota për të siguruar që konsumatorët të kenë akses të pandërprerë në gaz’.
Gavrilita raportoi se Gazprom i kishte dërguar qeverisë së Moldavisë një njoftim zyrtar se nëse nuk i paguante borxhet e papaguara kompanisë në janar, gjiganti shtetëror rus i energjisë do të mbyllte dërgesat e gazit. Zëvendëskryeministri Andrei Spinu tha gjithashtu se Moldavia do të kërkojë të shlyejë borxhet e saj në disa faza.
“Kompania shtetërore e energjisë Moldovagaz do t’i paguajë Gazpromit një paradhënie prej 38 milionë dollarësh deri më 20 janar.” – njoftoi Spinu.
“Kjo lë 25 milionë dollarë të tjera për në janar dhe Moldovagaz kërkoi që kjo pagesë të vonohej, por nuk mundi të pajtohej me Gazprom, i cili nuk donte të ndihmonte kompaninë e saj bijë.” – shtoi ai. Spinu theksoi se Moldovagaz po llogarit të marrë një kredi për të shlyer borxhin.
Moldavia kishte shpallur më parë një gjendje të jashtëzakonshme në tetor për të luftuar krizën e saj energjetike, pas së cilës Moldovagaz dhe Gazprom nënshkruan një kontratë pesëvjeçare, duke rënë dakord për pagesat mujore.
Moldavia u detyrua të kërkonte një zgjatje të pagesës së nëntorit, kur Gazprom kërcënoi gjithashtu të bllokonte dërgesat, por Moldovagaz përfundimisht ishte në gjendje të paguante faturën prej 75 milionë dollarësh. Në fjalimin e tij të mërkurën, Spinu këmbënguli se kjo situatë nuk do të ndodhë më pasi të jetë zgjidhur kriza e tanishme.