Vendosni fjalën kyçe....

PS-ja do kandidojë me dy gra në Shkodër e Durrës


Partia Socialiste duket se i ka dy emrat për dy Bashkitë më të mëdha për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Ditën e sotme PS-ja ka mbledhur Kryesitë në qytetet ku do zhvillohen zgjedhjet për të diskutuar kandidatët.

Për Bashkinë e Durrësit socialistët do vijojnë me emrin e ushtrueses aktuale të detyrës si kryetare, Emirjana Sako.

Për disa mandate Sako ka mbajtur detyrën e drejtoreshës së Shërbimeve Publike në këtë Bashki. Sako ka menaxhuar edhe periudhën pas tërmetit të 26 nëntorit në Durrës.

Bashkia e Durrësit është pa kryetar që prej fundit të nëntorit 2019, pasi kryebashkiakja e asaj kohe, Valbona Sako, dha dorëheqjen, vetëm disa muaj pasi kishte marrë postin.

Ndërsa për Shkodrën emri i cili ka dalë nga kampi socialist është Majlinda Angoni.

Angoni është në krye të prefekturës së Shkodrës prej shtatorit 2020.