Lihet në burg 58-vjeçari Fetah Mara, i cili dyshohet se mbyti, zhveshi dhe hodhi në një kanal në fshatin Kozare kruhkën e tij 63-vjeçaren Fatime Suli.
Mara është përballur sot me togat e zeza të Gjykatës së Beratit, për t’u njohur me masën sigurisë.
Gjatë një seance që zgjati rreth 60-minuta, Mara ka deklaruar para gjykatës se në momentin e tërheqjes zvarrë për ta hedhur në kanal, i janë hequr tutat të moshuarës duke shpjeguar faktin pse gruaja është gjetur e zhveshur.
Gjyqtarja Matilda Llangozi, pasi u njoh me provat e organit të akuzës, e cilësoi “të ligjshëm” arrestimin e 58-vjeçarit dhe caktoi për të masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 20 Janarit në lagjen “Havaleas” në fshatin Kozare. 63-vjeçarja Fatime Suli u gjet e vdekur në një kanal, gjysmë e zhveshur dhe e mbuluar me gjethe. Familjarët e saj e kishin kërkuar prej disa orësh dhe pasi nuk e kishin gjetur kishin njoftuar për ndihmë policinë.
Pas kësaj, gruaja u gjet në një kanal, rreth 1 km larg banesës saj. Pas kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore, rezultoi se shkaku i vdekjes së 63-vjeçares ishte asfiksimi nga mbytja me duar.
Lidhur me ngjarjen u aarrestua Fetah Marra, që rezulton të jetë komshiu dhe krushku i viktimës. Ai e ka pranuar autorësinë e krimit.