Një shkollë e mesme në Dartmouth të Kanadasë e cila mban emrin e Princit Andrew, ka vendosur të ndërrojë emrin për shkak të akuzave të vazhdueshme ndaj tij në SHBA për abuzim seksual dhe nisjes së çështjes civile kundër tij.
“Ne po e ndryshojmë emrin për të lëvizur në një drejtim tjetër për shkak të raporteve negative për Princin Andrew.”– tha drejtori i shkollës Craig Campbell për CNN në një email. “Ne shpresojmë të ndërtojmë identitetin tonë si një komunitet pozitiv, mbështetës shkollor me një emër që të përputhet.”
Banorët vendas do të kenë mundësinë të paraqesin sugjerime për emrin e ri në një komitet prej gjashtë personash, ku bëjnë pjesë studentë, staf dhe anëtarë të komunitetit. Tre emrat kryesorë do t’i rekomandohen më pas Qendrës Rajonale të Arsimit Halifax, e cila do të japë miratimin përfundimtar.
Vendimi i shkollës vjen pas një vendimi të gjykatës në Nju Jork se një padi civile kundër Princit Andrew mund të vazhdojë.
Princi Andrew është paditur nga Virginia Giuffre, e cila pretendon se ajo u trafikua nga financieri i ndjerë Jeffrey Epstein dhe u detyrua të kryente akte seksuale me princin në moshën 17-vjeçare. Princi Andrew i ka mohuar me forcë këto pretendime.
Akuzat kundër princit kanë njollosur pozitën e tij publike dhe kanë bërë që anëtarët e tjerë të familjes mbretërore të distancohen nga ai.
Së fundmi, Princit Andrew iu hoqën titujt e nderit ushtarak dhe mbretërorë. Ai gjithashtu nuk do të përdorë më as titullin “Lartësia e Tij Mbretërore” në asnjë cilësi zyrtare.