Vendosni fjalën kyçe....

Berisha me demokratët e Mirditës: Pushteti i Ramës sot është 20% më i madh se ai i Ramiz Alisë në 1991-shin, ka marrë peng edhe Bashën


Ish-kryeministri dhe ish-lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po zhvillon sot një takim në Rrëshen me demokratët dhe qytetarët e Mirditës. 

Gjatë fjalës së tij, Berisha falenderoi qytetarët e Mirditës për mbështetjen dhe opozitarizmin e tyre.

Ai u shpreh se sot shqiptarët i thërret një mision i madh, të përmbysin sistemin monist në Shqipëri. Berisha duke iu drejtuar demokratëve paraqiti një tabelë sipas së cilës në vitin 2020, pushteti i Edi Ramës, është 10% më i madh se pushteti i Ramiz Alisë në vitin 1991.

Sipas tij kjo shifër ka ndryshuar sot,  pasi sipas tij qeveria Rama ka marrë peng edhe kreun e opozitës Lulzim Bashën dhe pushteti i kryeministrit tani është të paktën 20% më shumë se sa në pushtetin komunist.

 “Qytetare dhe qytetarë të Rrëshenit dhe Mirditës, mirditore dhe mirditorë,

Së pari ju përshëndes përzemërsisht dhe përulem me mirënjohje të pakufishme përpara jush, para mirditorëve, baballarëve dhe gjyshërve tuaj të cilët qëndruan e sakrifikuan më shumë se të gjithë shqiptarët për lirinë dhe dinjitetin njerëzor.

Diktatura komuniste në Shqipëri ekzekutoi dhe burgosi mirditorë më shumë se çdo grup tjetër komuniteti në Shqipëri.

Mirdita vetëm të pushkatuar nga diktatura komuniste ka mbi 600 burra dhe gra pa llogaritur këtu shekujt dhe mijëvjeçarët e burgjeve, kalvarin dhe torturat që ranë mi ju.

Por ju ishit të parët që themeluat të parën parti opozitare, ndaj unë sot ndaj jush dua të shpreh nderimin më të madh për gratë dhe burrat, djemtë dhe vajzat e Mirditës, që u angazhuan 30 vite më parë në opozitën e parë antidiktaturë në Shqipëri.

Ju falenderoj gjithashtu për qëndresën tuaj në këto 8 vite, për votën tuaj për PD-në. Nëse Shqipëria do të votonte si Mirdita, PD do ishte në pushtet sot. Por gjithashtu unë ftoj mirditorët, i bëj thirrje mençurisë së tyre, guximit dhe trimërisë së tyre të realizojmë se sot jemi në momentin më kritik në historinë tonë. Sot pas 30 viteve përpjekjeve tona për të qenë njerëz të lirë dhe me dinjitet, për të përdorur mundin dhe djersën tonë për begatimin e familjeve tona, ne ndodhemi përsëri në një mnizëm të shëmtuar. Në një monizëm tashmë jo aq të bazuar në doktrinën marksiste-leniniste, por të bazuar fund e krye në krimin, drogën dhe vjedhjen, varfërimin tuaj dhe varfërimin e qytetarëve shqiptarë.

Të dashur mirditorë dhe mirditore, unë do ju paraqes sot një tabelë e cila është e vitit 2020. Kjo tabelë tregon se në 2020 pushteti i kreut të Meduzës së Narkoshtetit shqiptar, është 10% më i madh se pushteti i diktatorit të vitit 1991, Ramiz Alisë.

Por kjo, ju lutem, mos harroni se kjo është e vitit 2020. Po sot në 2021-shin në të cilin morën peng për aferat korruptive dhe afera të tjera edhe ish-kreun e opozitës dhe duan të jau shesin juve për pluralizëm, ky pushtet nuk është më 10% se në 1991-shin, por është të paktën 20% më shumë se sa pushteti komunist.

Jua solla si shembull të gjithë mirditorëve dhe shqiptarëve për të kuptuar se sot ka një thirrje të madhe nga ky vend, asot më shumë se kurrë një mision i madh ju thërret ju, të gjithë shqiptarëve kudo që janë, në Shqipëri, në emigracion dhe diasporë, të përmbysim sistemin monist në Shqipëri, të rivendosim lirinë dhe vlerat e saj. Të dashur miq, paralelet me fundin e diktaturës janë absolutisht identike. Në vitin 1991, diktatori i fundit me mjetet e tij nga mëngjesi deri në darkë fliste për demokraci dhe procese demokratike. Sot ndodh e njëjta gjë.”– tha Berisha.