Në takimin e sotëm për demokratët e Mirditës, ish-kryeministri Sali Berisha foli për dorëheqjen e ish-deputetit të kësaj zone, Mark Markut dhe qëndrimet e këtij të fundit, pas tensioneve të brendshme në PD.
Berisha u shpreh se “Kur u caktua Mark Marku për deputet, e prita mirë pasi tetë vite qëndroi kundër Edi Ramës nëpër studio”.
Mirëpo për shkak të qëndrimeve të këtij të fundit lidhur me situatën e brendshme në PD, Berisha thotë se ndjen dhimbje.
“A mund ta marrë kush vesh tani Mark Markun?
Mark Marku bëri një diskutim shumë të mirë në Kuvendin e PD-së në qershor. Bëri gabim të madh që dha dorëheqjen në mënyrë enigmatike. Nuk erdhi te ju para se ta bënte këtë.
Tani, le ta pyesim së bashku zotin Marku: Mirë në Kuvendin e qershorit i the të gjitha ato, por për atë Kuvendin me 1954-shin pse nuk thua gjë? Je bërë një avokat i Lul Bravës? Çfarë të shtyn ty si pedagog dhe intelektual të bësh avokatinë e një njeriu, i cili atyre që të nderuan ty dhe të dhanë mandatin, u hedh helm, gaz, bomba shurdhuese dhe u thotë se 1954 vota janë 5004 vota?
Ky qëndrim është akt-akuza më e rëndë që i bën vetes tënde. Unë vlerësoj çdo kundërshtar që më del, por ndjej dhimbje të madhe kur njeriu sillet në këtë mënyrë ndaj vetes së tij.”- tha Berisha.