Dërgesa e parë e ndihmës ushtarake amerikane që presidenti Biden i ka premtuar Ukrainës mes frikës së një sulmi nga ana e Rusisë, është dorëzuar në Kiev.
Të premten vonë, Ambasada e SHBA-së në kryeqytetin ukrainas postoi foto në Tëitter të arkave të mëdha me ngjyrë të gjelbër duke u shkarkuar nga një aeroplan mallrash.
Arkat mbajnë pothuajse 100 ton ‘ndihmë vdekjeprurëse’, duke përfshirë municione të destinuara për ‘ushtarët e vijës së parë të Ukrainës’, tha postimi. Sipas ambasadës, dorëzimi ishte një provë e mëtejshme e ‘angazhimit të Uashingtonit për të ndihmuar Ukrainën të forcojë mbrojtjen e saj përballë agresionit rus në rritje’.
Në fillim të kësaj jave, SHBA-ja njoftoi se po përshpejtonte transportin e pesë helikopterëve transportues Mi-17 të prodhimit rus në Kiev. Të blera nga Moska dhe të destinuara për qeverinë e mëparshme afgane, helikopterët u devijuan nga Kabuli për shkak të marrjes së pushtetit nga talebanët gushtin e kaluar.
Britania i ka dhuruar gjithashtu qeverisë ukrainase raketa antitank, ndërsa ministrat e Mbrojtjes të shteteve baltike kanë njoftuar se kanë marrë miratimin amerikan për të furnizuar Kievin me raketa të mbrojtjes ajrore Stinger dhe raketa antitank Javelin.
Kancelari gjerman Olaf Scholz nga ana e tij e bëri të qartë të martën se vendi i tij nuk do të eksportonte asnjë armë vdekjeprurëse në Kiev.