Vendosni fjalën kyçe....

Macron bën thirrje për një ‘rend të ri evropian’


Presidenti francez Emmanuel Macron, ka shënuar fillimin e presidencës së vendit të tij duke bërë thirrje për një dialog ‘të sinqertë’ me Rusinë, të cilin ai e konsideroi të nevojshëm për ndërtimin e një ‘rendi evropian’ të bazuar në rregulla të reja.

“Siguria e kontinentit tonë kërkon riarmatimin strategjik të Evropës sonë si një forcë paqeje dhe ekuilibri, veçanërisht në dialogun tonë me Rusinë.” – tha Macron në një fjalim në Parlamentin Evropian në Strasburg të mërkurën.

“Si për ne ashtu edhe për Rusinë, për hir të sigurisë së kontinentit tonë i cili është i pandashëm, ne kemi nevojë për këtë dialog.” – tha Macron, duke shtuar se ai duhet të jetë ‘një dialog i sinqertë dhe kërkues përballë paqëndrueshmërisë, ndërhyrjes dhe manipulimit’.

Ky sistem i ri, argumentoi Macron, duhet të jetë pa kërcënime, detyrime dhe sfera ndikimi dhe do t’u japë shteteve një zgjedhje të lirë kur bëhet fjalë për anëtarësimin në organizata ose marrëveshjet e sigurisë, duke garantuar integritetin e tyre territorial.

Ai sugjeroi që ky ‘rend i ri sigurie dhe qëndrueshmërie’ së pari duhet të diskutohet brenda BE-së, pastaj brenda kornizës së NATO-s, përpara se të propozohet ‘për bisedime me Rusinë’.

Ai tha gjithashtu se Franca do të vazhdojë të punojë me Gjermaninë brenda formatit të Normandisë për të gjetur një ‘zgjidhje politike’ për konfliktin në Ukrainën lindore, që sipas tij, mbetet burimi kryesor i tensioneve të tanishme.