Vendosni fjalën kyçe....

“Po i bëhet presion me dosjen Nick Muzin” – Akuzat e Berishës ndaj Bashës


Ish-kryeministri Sali Berisha, në takimin e tij të radhës në qytetin e Rrëshenit me demokratët, u shpreh se misioni i tij është rrëzimi i regjimit dhe rivendosja e pluralizmit.

Gjatë bisedimit të tij me demokratët, Berisha bëri disa akuza kundrejt kreut të PD-së Lulzim Bashës.

Basha me Ramën për “5 Majin” dhe Portin e Durrësit

Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama e ka marrë peng Bashën dhe po mundohet ta shesë atë për pluralizëm. Ish-kryeministri solli shembuj të asaj që e quajti pseudopluralizëm, duke përmendur çështjen e Portit të Durrësit dhe rastin e shembjes së banesave te lagjia “5 Maji” në kuadër të projektit të Rindërtimit.

“Edvin Kristaq Rama, ky bastard i bllokmenëve po e mbron pengun e tij me gardistë dhe hordhitë e narkopolicisë.

Në çdo vend qeveritë bëjnë gabime dhe korrupsion, por është qeveria ajo që qëndron në anën e qytetarëve. Çfarë po shohim këto tre muaj? Atë që nuk e kemi parë kurrë në jetën tonë. Këto tre muaj po shohim se si po u rrafshohen shtëpitë njerëzve që e kanë ndërtuar me djersën e ballit, për të ndërtuar pallate bota e krimit, e bashkuar me Pallat Kapllanin e Lul Bravës. A mund të ndodhë kjo kund?

Pse është mynxyrë pseudopluralizmi? 800 mijë metra katrorë në Portin kryesor të Durrësit, duan të ndërtojnë pallate, një arab i falimentuar në shumë vende të tjera, me Edi Ramën dhe Lulzim Bravën.

Kush kërkon të na e shesë ne për pluralizëm Lulzim Bravën, Lulzim Bunkerin, Lulzim Kimikun? Çfarë lidhje kanë këta me lirinë e shqiptarëve?”– u shpreh Berisha.

Bashës po i bëhet presion me dosjen “Nick Muzin”

Berisha nuk la pa përmendur edhe një herë presionin që sipas tij po i bëhet Bashës përmes dosjen “Nick Muzin”. Kjo dosje sipas Berishës nuk mbyllet kurrë.

“Dosja Nick Muzin është një nga dosjet me historinë më kriminale në lobim. Ai ka bërë transferta të dënueshme me ligjet shqiptare dhe amerikane.

Atij në Shqipëri ia mbylli Edi Rama procesin. Në SHBA, kur prokuroria shqiptare kërkoi dosjen e Nick Muzin dhe dëshminë e tij, i cili ishte një person i ngatërruar në histori të tjera.

Dosja erdhi dhe Lulzim Brava u thirr dhe iu dha: me këtë dosje këtu dënohesh të paktën 12 vite, por akoma më rëndë mund të dënohesh atje. Zgjidh e merr. Ose largo Sali Berishën, ose dorëzo veten tënde. Natyrisht pranoi të parën. Por a e zgjidhi problemin? Nuk e zgjidhi.

Zonja arriti një marrëveshje me peng-Bashën. Por SHBA është vend i lirisë dhe ajo aferë nuk mbyllet kurrë. Do e ndjekë gjithë jetën e tij.”- tha Berisha.