Vendosni fjalën kyçe....

“Prokurori Alfred Shehu i shërbeu Ballës në zgjedhje e u kap duke mashtruar, KLP e kandidon për në SPAK” – Denoncimi i Bardhit


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Bardhi, ka denoncuar kandidimin nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të Alfred Shehut për në SPAK.

Ai shkruan se sistemi i drejtësisë është në provë brenda vetes.

Numri dy i selisë blu shkruan se prokurori në fjalë u ka shërbyer bandave të Taulant Ballës në zgjedhjet e 25 prillit dhe është kapur në flagrancë duke mashtruar.

“Sistemi i drejtësisë është vënë në provë nga brenda vetes. KLP është paditur për manipulim dhe si shtojcë e Partisë Socialiste. Në shkelje flagrante të ligjit, KLP i ka hapur rrugën për në SPAK prokurorit Alfred Shehu që i shërbeu bandave dhe Taulant Ballës në zgjedhje, duke u kapur në flagrancë duke mashtruar.

Pyetja që e bën sot çdo shqiptar është:

A do të lejojë gjykata një SPAK të kapur nga Edi Rama dhe shërbëtorët e tij si Taulant Balla?

A do të lejojë gjykata që të bëhet pjesë e SPAK prokurori famëkeq, Alfred Shehu?

Si mund të jetë i denjë për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin një prokuror që gënjeu hapur dhe publikisht për ti shërbyer bandave dhe korrupsionit qeveritar?

Përgjigja e këtyre pyetjeve nga drejtësia do të ndajë qartë nëse sistemi i ri i drejtësisë do t’u përkasë përfundimisht pushtetit dhe bandave, apo miliona euro dhe dollarë u shpenzuan që sistemi t’u shërbejë qytetarëve.” – shkruan Bardhi.