Vendosni fjalën kyçe....

Qindra të plagosur dhe të vrarë në Jemen nga sulmet saudite, spitalet të mbingarkuara


Bombardimet e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite i kanë lënë spitalet në Jemen të mbingarkuar me viktima dhe të plagosur.

Dhjetëra njerëz janë vrarë dhe ndoshta qindra janë plagosur nga sulmet ajrore në Jemen, pas përshkallëzimit të fundit në luftën e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite kundër rebelëve Houthi.

Objektivat e goditura të premten thuhet se përfshinin një burg dhe një aeroport në qytetin verior të Sa’ada, objekte të ndryshme qeveritare dhe një ndërtesë telekomunikacioni në Hodeidah. Shumë prej viktimave u dërguan me urgjencë në spitalin Al-Gumhourriiyeh në Sa’ada, i cili pranoi 138 të plagosur dhe 70 të vdekur, sipas grupit të ndihmës Mjekët pa Kufi (MSF).

RT shkruan se ky spital është aq i mbingarkuar sa nuk mund të pranojë më pacientë, dhe të paktën dy spitale të tjera në qytet kanë marrë një numër të madh viktimash. Ka ende shumë trupa në skenën e goditjes më shkatërruese, në burgun në Sa’ada.

“Është e pamundur të dihet se sa njerëz janë vrarë.”– tha Ahmed Mahat, kreu i misionit të MSF në Jemen. “Duket se ka qenë një akt i tmerrshëm dhune.”

Kryqi i Kuq tha se dërgoi furnizime mjekësore në dy nga spitalet që u mbushën me viktima. Sulmi me bombë në Hodeidah fiku shërbimin e internetit në mbarë vendin dhe dyshohet se vrau të paktën tre fëmijë. Ndërprerja e internetit thuhet se ka penguar përpjekjet për të ofruar ndihma dhe për të mbledhur informacione rreth sulmeve ajrore.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite tha se kishte goditur portin e Hodeidah dhe “objektivat ushtarake” në Sanaa, kryeqyteti i Jemenit. Sipas agjencisë shtetërore të shtypit Saudit, sulmet u kryen “në përgjigje të kërcënimit të sulmeve armiqësore”.

Koalicioni intensifikoi sulmet ajrore në Jemen në fillim të kësaj jave në përgjigje të sulmeve me dronë Houthi në Emiratet e Bashkuara Arabe, partneri i Arabisë Saudite në luftë.

Zëdhënësi i rebelëve Houthi, Yahya Sare’e, pretendoi se sulmet në Dubai dhe Abu Dhabi ishin hakmarrje për agresionin në rritje të koalicionit në Jemen. Pas sulmeve ajrore shkatërruese të së premtes, Sare’e sinjalizoi një tjetër cikël hakmarrjeje, duke thënë se “ne këshillojmë kompanitë e huaja në Emirate të largohen sepse investojnë në një vend të pasigurt dhe sundimtarët e këtij vendi vazhdojnë në agresionin e tyre kundër Jemenit”.