Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina paralajmëron se Rusia e ka përfunduar pozicionimin e forcave pranë kufirit


Ukraina ka paralajmëruar se Rusia ‘thuajse e ka përfunduar’ pozicionimin e forcave që mund të përdoren për një sulm kundër vendit, duke shtuar frikën se Moska mund të nisë një pushtim në çdo kohë.

Sipas vlerësimit të fundit të inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, të ndarë ekskluzivisht me CNN, Rusia tani ka vendosur më shumë se 127,000 trupa në rajon.

“Forca e plotë e trupave të armatosura ruse në drejtimin ukrainas është mbi 106,000 personel. Së bashku me trupat detare e ato ajrore, numri i përgjithshëm i personelit është mbi 127,000 ushtarakë.” –  thuhej në vlerësim. .

Veprimet e Rusisë synojnë kufizimin e aftësive të Shteteve të Bashkuara, thuhet në vlerësim, ‘për të garantuar sigurinë në kontinentin evropian’.

Vlerësimi vjen pasi tre raunde bisedimesh diplomatike midis Rusisë dhe Perëndimit që synonin uljen e tensioneve nuk arritën të jepnin një zgjidhje javën e kaluar.

Zv. Sekretarja e Shtetit e SHBA, Ëendy Sherman tha të mërkurën e kaluar se ishte e paqartë nëse Moska synonte të përdorte bisedimet si pretekst për të pretenduar se diplomacia nuk mund të funksionojë.

Inteligjenca ushtarake ukrainase tha se Rusia ka dislokuar trupa nga rajonet e saj qendrore dhe lindore në kufirin e saj perëndimor ‘në baza të përhershme’. Në fund të dhjetorit dhe në janar, Rusia ka lëvizur ‘stoqet e municioneve, spitalet në terren dhe shërbimet e sigurisë’ në kufi, tha ajo, e cila sipas Ukrainës ‘pohon përgatitjen për operacione sulmuese’.

Vlerësimi i ri tha gjithashtu se Rusia mbështetet në më shumë se 35,000 rebelë në Ukrainën lindore dhe ka rreth 3,000 nga personeli i saj ushtarak të vendosur në territorin rebel. Ndërkohë Moska mohon të ketë ndonjë forcë në Ukrainën lindore.

Ushtria ukrainase tha gjithashtu se Rusia mund të përdorë armë raketore me rreze të mesme veprimi për të ‘shkatërruar objekte jetike’, duke vënë në dukje se ‘grupe taktike shtesë të raketave ‘Iskander’ janë transferuar në kufi.

Sipas vlerësimit, që nga mesi i janarit, Rusia ka afruar 36 lëshues ‘Iskander’ pranë Ukrainës.

Raketat ‘Iskander’ janë të afta të godasin objektiva 500-700 km larg dhe mund të synojnë zona përfshirë kryeqytetin, Kiev.