Vendosni fjalën kyçe....

Mbyllja e shkollave/ Kushi i përgjigjet kërkesës së Zhupës: Një nga prindërit lejohet të qëndrojë në shtëpi me fëmijët pa pasoja administrative dhe financiare


Ministrja e Arsimit Evis Kushi, ka reaguar pas deklaratave të zëdhënëses së PD-së Ina Zhupa, e cila thoshte se pas mbylljes së shkollave e gjithë barra binte mbi prindërit.

Kjo e fundit kërkonte që të merrej një vendim i dytë ku njëri nga prindërit të lejohej të qëndronte me fëmijët në shtëpi pa patur penalitete nga punëdhënësit. Dhe duket se Kushi i është përgjigjur kësaj kërkese, pasi ajo thotë se është vendosur nga Këshilli i Ministrave, që njëri nga prindërit me fëmijë të mitur të lejohet të qëndrojë në shtëpi pa pasoja administrative dhe financiare.

“Nisur nga vendimi i fundit për ndërprerjen e procesit mësimor nga data 24 – 26 janar për shkak të kushteve të vështira atmosferike, nisur edhe nga eksperiencat e mëparshme ku me vendim të Këshillit të Ministrave njëri nga prindërit me fëmijë të mitur lejohet të qëndrojë në shtëpi pa pasoja administrative dhe financiare, i njëjti vendim do të aplikohet përsëri edhe gjatë javës së ardhshme.

Ju uroj të dielë të qetë!”– shkruan ministrja Kushi.

Kujtojmë se më herët zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa, tha se vendimi “gjysmak” i Ministrisë së Arsimit për të mbyllur shkollat për shkak të të ftohtit bie në kurriz të prindërve shqiptarë.

Zhupa shprehej se mbyllja e shkollave përveçse nxori në pah dështimin në krijimin e kushteve mininale si ngrohja në shkolla, ka vënë në vështirësi prindërit se kush do kujdeset për fëmijët e tyre këto 3 ditë kur ata janë në punë.

Sipas saj marrja e një vendimi të tillë duhej shoqëruar me një tjetër vendim nga qeveria që njëri nga prindërit të ketë mundësi të qëndrojë në shtëpi dhe të mos përballet me penalitete financiare nga punëdhënësi.