Bashkia e Tiranës do të kërkojë të Hënën një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar ndaj kreut të FSHF-së Armando Duka për shkeljet dhe korrupsionin gjatë periudhës së tij rreth 20 vjeçare si drejtues i këtij institucioni.
Medie si Balkanweb apo Shqiptarja.com duke iu referuar burimeve në bashki, raportojnë se prej dy javësh, një skuadër juristësh shqiptarë, amerikanë dhe britanikë po asistojnë bashkinë (si aksionere e klubit të futbollit) në një dosje voluminoze shkeljesh, për t’ia prezantuar FBI, DEA, NCA, Scotland Yard, SPAK, Prokurorisë së Tiranës, Krimit Ekonomik, Agjencisë së Pastrimit të Parave, AMA, Hetimit Tatimor, AKU.
Bashkia e Tiranës, si aksionere do t’i përcjellë dosjen e plotë edhe Ambasadave Amerikane e Britanike në Shqipëri, për të kërkuar revokimin e vizave të familjes Duka, si “minues përsëritës së demokracisë në futbollin shqiptar” dhe të dyshuar në një sërë veprash penale.
Sipas raportimeve, çështjet për të cilat do të hetohet Duka lidhen me çështjet e shitjeve ndërkombëtare të ndeshjeve dhe basteve të paracaktuara, shpenzimet e pajustifikuara të familjes Duka në blerje pronash e makinash luksoze, abuzimet me Fondet e Solidaritetit të dhëna nga FIFA e UEFA që nuk kanë shkuar për shoqatat e fëmijëve.
Po ashtu një sërë veprash të tjera “lidhen me të drejtat e transmetimit, pastrimin e parave, apo kontratat e paligjshme në konflikt interesi të marketingut në futboll të kompanive të Dukës t’i paraqiten për evazion fiskal agjencive shqiptare të Pastrimit të Parave, Krimit Ekonomik dhe Hetimit Tatimor”.
Kjo është hera e parë që ka një mobilizim të tillë të institucioneve për të hetuar Armando Dukën dhe abuzimet në FSHF dhe kjo vjen pikërisht në një kohë kur ai kërkon mandatin e 6-të në krye të FSHF-së.