Vendosni fjalën kyçe....

Bledar Muça u ekzekutua pranë banesës, u identifikua nga shenjat e gishtave


Hollësi të tjera janë zbuluar nga ekzekutimi i Bledar Muçës në Aartselaar, Belgjikë. Viktima është qëlluar me disa plumba, njëri prej të cilëve e ka kapur në kokë, shkruan ABC duke cituar mediat belge.

Autoritetet belge dyshojnë se vrasësit kanë qenë profesionistë dukje pasur parasysh mënyrën e veprimit.

Autorët dyshohet se e kanë ndjekur prej kohësh 39-vjeçarin nga Elbasani, që u ekzekutua rreth orës 23:00 të së shtunës në Baron Van Ertbornstraat.

Muça është qëlluar me armë zjarri në një rrugicë në dalje të autostradës dhe ka ndërruar jetë në vend. Viktima kishte shtetësi britanike ndërsa gjatë kontrollit i është gjetur edhe një pasaportë bullgare.

Kanë qenë shenjat e gishtërinjve që kanë bërë të mundur identifikimin e tij dhe se bëhet fjalë për 39-vjeçarin nga Elbasani. Deri tani nuk ka ende asnjë autor të dyshuar lidhur me ngjarjen e rëndë.

Bledar Muça është emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe rezulton i përfshirë në shumë ngjarje kriminale në qytetin e Elbasanit. ai konsiderohej si një nga njerëzit më të afërt të Ardian e Florenc Çapjas.

Në verën e vitit 2016 ai u arrestua dhe u dënua me dy vite burg pasi qëlloi me armë ndaj efektivëve të policisë që po mbikëqyrnin familjen Çapja.