Vendosni fjalën kyçe....

Imuniteti natyral ndaj Covid më efektiv se vaksinimi – Studimi në SHBA


Imuniteti natyral ndaj llojit Delta të Covid-19 është më efektivi se vaksina.

Studimi, i publikuar të mërkurën nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), zbuloi se ndërsa lloji Delta u bë dominues gjatë gjysmës së dytë të vitit 2021, njerëzit që ishin vaksinuar kishin gjashtë herë më pak gjasa të kapeshin nga Covid- 19 se ata që nuk ishin vaksinuar.

Megjithatë, ata që ishin infektuar me një variant të mëparshëm të koronavirusit, por nuk ishin vaksinuar, kishin nga 15 deri në 29 herë më pak gjasa të kapeshin nga virusi.

Një ndryshim i ngjashëm u vu re në normat e shtrimit në spital, ku imuniteti i mëparshëm jepte mbrojtje më të mirë kundër shtrimit sesa vaksinimi.

Pavarësisht disavantazhit të tij në krahasim me imunitetin natyror, CDC theksoi se ‘vaksinimi mbetet strategjia më e sigurt’ për parandalimin e infeksioneve Covid-19. Kjo është për shkak se ‘pasja e Covid për herë të parë mbart me vete rreziqe të rëndësishme’, tha për CNN bashkëautori i studimit Dr. Eli Rosenberg.

Po kështu Dr. Erica Pan, epidemiologe shtetërore për Departamentin e Shëndetit Publik të Kalifornisë, rekomandoi që edhe ata me infeksion të mëparshëm vaksinohen për t’u siguruar që ata të marrin një shtresë ‘mbrojtjeje shtesë’.

Përfundimi i studimit bie ndesh me pretendimet e mëparshme nga zyrtarë të lartë shëndetësorë të SHBA-së. Në fillim të shpërthimit të llojit Delta majin e kaluar, këshilltari kryesor mjekësor i Shtëpisë së Bardhë Dr. Anthony Fauci këmbënguli se vaksinat ‘janë më të mira se përgjigja tradicionale që merrni nga infeksioni natyror’.

Fauci është akuzuar gjithashtu nga ligjvënësit republikanë për injorimin e studimeve që pretendojnë përfitimet e imunitetit natyror, ‘sepse kjo i prish planet e tij për të vaksinuar të gjithë’.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani