Pas gati katër vjetësh në detyrë, presidenti armen Armen Sarksyan njoftoi dorëheqjen e tij të parakohshme, të dielën.
Politikani përmendi ‘mungesën e instrumenteve të nevojshme për të ndikuar në proceset themelore në politikën e brendshme dhe të jashtme’ si një nga arsyet kryesore për vendimin e tij.
Ai vuri në dukje në veçanti faktin se një president në Armeni nuk mund ‘të vërë veton ndaj ligjeve që ai i konsideron të paarsyeshme’ ose ‘të ndikojë në çështjet që lidhen me luftën dhe paqen’.
Sarksyan dënoi gjithashtu faktin se presidentit ‘i mungojnë instrumentet kushtetuese për të ndihmuar vendin e tij’ në një kohë kur bota po kalon një periudhë ‘trazirash të vazhdueshme’.
Zyra presidenciale ‘nuk duhet të bëhet një objektiv për thashethemet dhe komplotet’ që tërheqin vëmendjen e publikut nga çështje më të rëndësishme, tha Sarkysan, në një deklaratë të botuar të dielën. Ai nuk dha hollësi, por vazhdoi duke e përshkruar situatën e tanishme në Armeni si një ‘krizë kombëtare’.
Armenia u bë republikë parlamentare në vitin 2015 pas një referendumi që shkurtoi kompetencat e presidentit. Sipas Kushtetutës së saj të re, presidenti zgjidhet nga parlamenti i vendit çdo shtatë vjet.
Sarksyan është një politikan veteran i cili shërbeu për një kohë të shkurtër si kryeministër i Armenisë midis 1996 dhe 1997 përpara se të merrte rolin e ambasadorit të Jerevanit në Britani për 20 vitet e ardhshme, 1998-2018.
Ai u zgjodh president i Armenisë në mars 2018, pak para protestave që panë kryeministrin e tanishëm, Nikol Pashinyan, të merrte detyrën në maj të atij viti.