Vendosni fjalën kyçe....

Temperatura deri në minus 17 gradë Celsius, probleme në qarqet Dibër, Kukës e Korçë


Temperaturat e ulëta kanë mbërthyer mbarë vendin. Në qarqet Dibër, Kukës e Korçë temperaturat kanë shënuar deri në minus 17 gradë Celsius ndërsa akulli ka mbuluar rrugët në zonat e thella.

Në Dibër temperaturat kanë shënuar minus 17 gradë Celsius gjatë orëve të natës ndërsa problem për sa i përket qarkullimit të mjeteve ka në fshatrat e Bulqizës në zonën e Gollobordës, në Tërnovë, Krastë e Zerqan.

Po kështu probleme për sa i përket qarkullimit ka edhe në fshatrat e Dibrës si Lura, Selishta e Kalaja e Dodës.

Në Bulqizë e Peshkopi ka pasur mungesë të ujit të pijshëm për shkak të ngrirjes së tubave. Në disa fshatra të thella ka pasur mungesë të energjisë elektrike pavarësisht se grupet e OSHEE-së janë në zonë e po punojnë për riparimin e defekteve.

Në Qarkun e Korçës temperaturat kanë shënuar deri në minus 12 gradë Celsius. Në pjesën dërrmuese të rrugëve që lidhin Korçën me qendrat kryesore si Erseka, Leskoviku, Voskopoja e Dardha qarkullimi bëhet pa problem por rekomandohet përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve, shkruan BW.

Temperaturat e ulëta kanë përfshirë edhe Sarandën. Banorët e disa fshatrave janë që prej natës së mbrëmshme pa energji elektrike për shkak të defekteve. Bëhet fjalë për fshatrat Borsh, Lukovë, Sasaj, Piqeras, Nivicë e Shën Vasil.