Një gazetare meksikane është qëlluar për vdekje në qytetin kufitar të Tijuanas.
Siç shkruan BBC, Lourdes Maldonado López, e cila kishte dekada përvojë si gazetare, u sulmua në makinën e saj teksa mbërriti në shtëpi të dielën.
Ajo është gazetarja e tretë që vritet në Meksikë për këtë vit.
Lopez kishte thënë më parë se kishte frikë për jetën e saj dhe ishte regjistruar në një skemë për të mbrojtur gazetarët.
Meksika është një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët ku dhjetëra janë vrarë vitet e fundit.
Shumë prej atyre që ishin në shënjestër mbulonin korrupsionin ose kartelet e fuqishme të drogës. Aktivistët thonë se vrasjet rrallëherë hetohen plotësisht.
Motivi i vrasjes së Maldonados nuk ishte i qartë dhe askush nuk është arrestuar deri më tani.
Gjatë një konference për shtyp në vitin 2019, Maldonado i kërkoi Presidentit Andrés Manuel López Obrador “mbështetje, ndihmë dhe drejtësi” pasi siç shprehej ajo, kishte frikë për jetën.
Ajo i referohej një mosmarrëveshje pune që kishte me Jaime Bonilla, i cili u zgjodh guvernator i shtetit Baja California më vonë atë vit si kandidat nga partia Morena e presidentit. Bonilla, i cili u largua nga detyra në fund të vitit të kaluar, zotëron median PSN, e cila kishte punësuar Maldonadon.
Maldonado kishte paditur kompaninë për shkarkim të padrejtë nga puna dhe javën e kaluar tha se ajo kishte fituar gjyqin pas një beteje ligjore nëntëvjeçare.
Vrasja e Maldonados erdhi gjashtë ditë pasi fotoreporteri Margarito Martínez u qëllua për vdekje jashtë shtëpisë së tij në Tijuana. Ai mbulonte krimin në qytet.
Një javë më parë, edhe José Luis Gamboa Arenas u gjet i vdekur me plagë me thikë në qytetin lindor të Veracruz-it. Ai shpesh shkruante artikuj rreth krimit të organizuar dhe dhunës.