“Associated Press” ka shkruar mbi ngjarjen e shënuar mbrëmjen e së hënës në Durrës, ku një sasi tritoli u vendos në derën e jashtme të banesës së presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Në artikullin e AP-së, thuhet se incidenti bëri që organi qeverisës i futbollit evropian UEFA të shprehë shqetësim në lidhje me kryeqytetin shqiptar, Tiranën, që do të presë finalen e Ligës së Konferencës së Evropës më 25 Maj.
“UEFA tha se zyrtarët e saj do të udhëtojnë së shpejti në Shqipëri për të diskutuar shqetësimet e vazhdueshme rreth ndërhyrjeve politike në futboll atje, përpara zgjedhjeve të federatës. Nëse Duka do humbasë zgjedhjet presidenciale më 2 mars, atij do t’i duhej të heqë dorë nga vendi i tij në komitetin ekzekutiv të UEFA-s në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.”- shkruan AP.
Gara ka ndezur një përplasje mes Dukës dhe bashkisë së Tiranës, e cila e ka akuzuar atë për korrupsion.
UEFA tha se delegacioni i saj dëshiron të “diskutojë çështjet aktuale dhe të ngrejë shqetësimet e saj në lidhje me organizimin e sigurt të Ligës së Konferencës së Evropës 2022 UEFA në Tiranë, në dritën e ngjarjeve të fundit”.
Shpërthimi ndodhi të hënën në shtëpinë e Dukës në qytetin e Durrësit, tha zëdhënësi i tij Andi Verçani. Gruaja dhe djali i Dukës ndodheshin në shtëpi, por nuk u lënduan. Ndërsa ai vetë ishte në Tiranë.
Të martën, Duka tha se kishte marrë një mesazh me tekst kërcënues për jetën, ku i kërkonte të jepte dorëheqjen. Ai e drejton Federatën Shqiptare të Futbollit që nga viti 2002 dhe kandidon përsëri si kandidati kryesor.
UEFA e përshkroi ndërhyrjen e jashtme në futbollin shqiptar si “qartësisht të papranueshme” dhe një shkelje të rregullave të saj ligjore.
Faqja e internetit e federatës shqiptare gjithashtu është hakuar dhe nuk funksionon.
UEFA zgjodhi Shqipërinë për të pritur finalen e Europa Conference League në stadiumin kombëtar prej 22 mijë vendesh, i cili u hap në vitin 2019.