Vendosni fjalën kyçe....

Del videoja nga momenti kur vendoset tritol në banesën e Armand Dukës


Del videoja nga momenti kur i vendoset tritol banesës së kreut të FSHF-së, Armand Dukës. Sikurse shihet nga këto pamje të publikuara nga “Syri TV”, autori është i veshur me një kapuç në kokë dhe me maskë deri tek pjesa e syve çka e bën të vështirë identifikimin e tij të paktën për momenti.

Personi sapo vendos një pako në derën e banesës së kreut të FSHF-së largohet me vrap dhe përshkon rrugën drejt bulevardit kryesor të Durrësit.

Kujtojmë se policia ka marrë në mbrojtje shtëpinë e kreut të FSHF-së Armando Duka pas shpërthimit të tritolit mbrëmjen e djeshme.

Grupi hetimor ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes së rëndë.

Deri më tani, rreth 10 persona janë shoqëruar lidhur me ngjarjen.

Duka pohoi në një deklaratë mbrëmjen e djeshme se kishte pasur kërcënime me jetë ditët e fundit ndërsa theksonte se nuk kishte shpresë te policia.

Tritoli në banesën e Dukës vjen pas përplasjeve me deklarata ditët e fundit mes kryebashkiakut të Tiranës Veliaj e kreut të FSHF-së. Veliaj ka deklaruar se kërkon hetim kombëtar e ndërkombëtar ndaj Dukës të cilin e akuzon për korrupsion, vjedhje e shpërdorim detyre ndërsa ai është kundërpërgjigjur duke thënë se kreu i bashkisë sillet si hetues i kohës së diktaturës.

FSHF nga ana tjetër publikoi dje një material audio ku Veliaj dëgjohej duke kërcënuar anëtarët e shoqatës së futbollit Tirana.