Kompania koncesionare Attiki Odos SA, që menaxhon unazën më të madhe të kryeqytetit grek, ka thënë se do të kompensojë mijëra shoferë që paguajnë taksën, të cilët u bllokuan në autostradë në makinat dhe kamionët e tyre gjatë stuhisë të së hënës.
Sipas raportimeve, kompania do të ofrojë kompensim prej 2,000 euro për çdo përdorues të autostradës Attiki Odos që u bllokua në dëborë. Vendimi thuhet se u mor pas një telefonate nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili kërkoi përgjigje se pse mekanizmi i reagimit emergjent të autostradës dështoi në mënyrë kaq dramatike.
Ekipet e shpëtimit, duke përfshirë ushtrinë, punuan gjatë natës për të evakuuar mijëra njerëz të bllokuar në makinat e tyre në një autostradë të Athinës pasi një stuhi e fortë dëbore përfshiu Greqinë të hënën, duke mbuluar kryeqytetin dhe duke shkaktuar kaos trafiku.
Më shumë se 3,500 njerëz ishin evakuuar deri të martën herët, disa duke braktisur makinat e tyre në këmbë, por rreth 1,200 makina mbetën të bllokuara në Attiki Odos, unaza kryesore e kryeqytetit, tha zëdhënësi i qeverisë, Giannis Oikonomou.
Ndërsa temperaturat ranë gjatë natës, ushtarët shpërndanë ushqim, ujë dhe batanije për shoferët, disa prej të cilëve mbetën të bllokuar në makinat e tyre për më shumë se 10 orë. Pamjet televizive treguan rrugën dhe automjetet të mbuluara me borë.
Pjesë të Athinës u goditën nga ndërprerjet e energjisë elektrike dhe operatori i rrjetit tha se ekuipazhet po punonin për të rivendosur energjinë elektrike.